Nisma “Sinjalizuesi” e Iniciativës për Drejtësi dhe Transparencë, ka reaguar pas zhvillimeve në Radiotelevizionin e Kosovës, ku drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili ka publikuar disa dokumente që sipas tij tregojnë kontrata përmes procedurave të parregullta ndërmjet RTK-së dhe BIRN.
“Sinjalizuesi” që ka mision mbrojtjen dhe fuqizimin e sinjalizuesve në Kosovë, i ka vlerësuar deklarimet publike të bëra nga Arsim Halili lidhur me dyshimet për shkelje të procedurave ligjore dhe keqpërdorim të fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Ata thonë se deklaratat e Halilit përbëjnë një rast tipik të sinjalizimit sipas Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve dhe kanë kërkuar nga Prokuroria t’i hetoje ato.
Po ashtu sinjalizuesit kërkojnë që palët e përfshira të shmangin denigrimin e denoncuesit.
Postimi:
Ky rast paraqet një situatë të veçantë, pasi sinjalizuesi nuk po raporton tek mediat për keqpërdorime institucionale, siç ndodh zakonisht, por po raporton për shkelje ligjore që përfshijnë dy media. Kjo e bën çështjen më sensitive dhe kërkon një qasje të kujdesshme.
Për këtë arsye:
Theksojmë se mbrojtja e sinjalizuesve është një detyrim ligjor dhe një standard demokratik që garanton transparencën, llogaridhënien dhe luftën kundër korrupsionit. Ekipi i Projektit “Sinjalizuesi” do të vazhdojë ta monitorojë këtë rast dhe të ofrojë mbështetje të plotë për z. Halili deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe garantimin e mbrojtjes së tij ligjore.