Boll më me akuza të rreme për bllokim, askush nga ju nuk do që ta bëjë Qeverinë

Prishtinë | 21 Gus 2025 | 11:00 | Nga Kadri Kryeziu

Në mënyrë që një problem të ekzistojë është parakusht që vullneti ngatërrestar të ekzistojë te të dy palët e përfshira. Për bllokadën në procesin e konstituimit të Kuvendit po njësoj fajtor janë si VETËVENDOJSE, në njërën anë, dhe PDK, LDK dhe AAK në anën tjetër.
Pse?
E para, është shumë e qartë që, në variantin më optimist, raporti i forcave në Kuvend është 60 me 60. Dhe e dyta, më e rëndësishmja, asnjëra palë nuk ka vullnet dhe as dëshirë që të provojë të formojë qeverinë.
Të dyja palët e dinë që zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, sepse nuk ekziston vullnet për bashkëpunim në zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës. Dështimi për ta zgjedhur Presidentin, vendin e çon automatikisht në zgjedhje. Pra, askush nuk do që të qeverisë për vetëm disa muaj.
Edhe sikur VETËVENDOSJE dhe NISMA të bënin marrëveshje koalicioni, zhvillimet në Kuvend tregojnë që fuqia e tyre e bashkuar do të ngecte në 60 deputetë, pra një më pak se shumica e thjeshtë e nevojshme për formim të qeverisë. Duke mbajtur pozicionin se VETËVENDOSJE është duke refuzuar që partitë tjera t’ia caktojnë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, bllokada në konstituimin e Kuvendit, që rrjedhimisht e pamundëson kalimin te faza e formimit të qeverisë, është në interesin politik të VETËVENDOSJEs, sepse, në ndërkohë, edhe mund të ketë zhvillime të reja që mund ta ndryshojnë situatën në favor të saj.
Sikur PDK, LDK dhe AAK vërtet të donin të krijonin qeverinë, procesi është shumë i thjeshtë. Pa menduar dy herë e votojnë cilido kandidat të propozuar për Kryetar të Kuvendit, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit. Konstituimi i Kuvendit menjëherë i hap rrugë procesit të formimit të qeverisë. Meqenëse, siç po shihet, mandatari Albin Kurti nuk i ka 61 vota të nevojshme, mundësia për të tentuar formimin e qeverisë mund t’i kalojë dikujt tjetër, me kushtin që ky mandatar i ri të dëshmojë që vërtet i ka gjasat reale për ta formuar qeverinë.
Por pse nuk po ndodh kjo?
PDK, LDK dhe AAK nuk duan të kalojnë fare te faza e formimit të qeverisë, sepse kalkulojnë politikisht. Nuk duan të formojnë qeveri jetëshkurtër, ndërkaq, në anën tjetër, në aleancë me mediat, analistët televiziv dhe shoqërinë civile, prolongimi i konstituimit të Kuvendit, duke e paraqitur Kurtin si kokëfortë që refuzon kompromisin, po rezulton një taktikë e dobishme politike.
Pra, edhe njëherë, kriza në Kuvend është thellësisht politike. Asnjëra palë nuk është e interesuar për zgjidhje dhe as për debllokim. Akuzat e ndërsjella që pala tjetër është bllokuese janë thjesht muhabete kot dhe pa domethënie reale. Realiteti është që të gjitha partitë janë të angazhuara ekskluzivisht vetëm rreth qëllimit si të pozicionohen më mirë para zgjedhjeve të pashmangshme.
Partitë politike, përfshirë propagandistët e tyre të maskuar si analistë, gazetarë dhe shoqëri civile, duhet të jenë të angazhuara që të mbrojnë parimet e shëndosha dhe jo interesat e ngushta ditore. Parimi është jetëgjatë dhe ka vlerë universale, ndërkaq interesi ditor është dritëshkurtër, sepse ajo që të përshtatet sot mund mos të të përshtatet nesër.
Shpresoj që të gjithë ta kuptojnë që analizat e mia juridike dhe politike janë tërësisht të paanshme, si dhe janë të bazuara në logjikën e shëndoshë juridike dhe politike. Nuk i mbaj krahun asnjërës palë dhe interes të vetëm intelektual e kam vetëm nevojën që të mos hesht para kalkulimeve të papërgjegjshme politike, që në këtë rast janë prezentë te të gjitha palët, si dhe para eksperimenteve të këqija me shtetin.
Ky shtet është krijuar me shumë mund, vuajtje e sakrifica. Nuk guxojmë të heshtim dhe as të rrimë duarkryq.

Të ngjashme