Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në mënyrë indikrekte dje e ka konfirmuar se ka bashkëpunuar me Gjykatën Speciale.
Duke e mohuar se nuk është dëshmitare e Hagës, ajo ka treguar se ka tentuar të bëhet dëshmitare kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Në konferencën e djeshme për media, e mbajtur pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, ajo ka deklaruar se Specialja ka trajtuar dëshmitarë të dorës së parë, e jo të atillë që pretendojnë se kanë dëgjuar diçka.
“Nuk jam dëshmitare e Hagës. Pse nuk jam? Sepse Haga ka trajtuar dëshmitarë të dorës së parë, e jo të tillë që mund të kenë dëgjuar diçka. Pyetni avokatët e të akuzuarve, secili e ka mundësinë të kuptojë, a kam qenë a nuk kam qenë. Nga Sot e tutje secili do të përballet me pasoja ligjore që e bën një pretendim të tillë të pavërtetë”, ka thënë ajo.
Më pas, ajo ka treguar se nga viti 2018 nuk e ka asnjë kontakt me Gjykatën Speciale.
Në këtë mënyrë, Gërvalla ka lenë të kuptohet se deri në atë vit ka bashkëpunuar me Specialen.
“Nuk ka qe nga viti 2018 asnjë kontakt të vetëm qoftë direkt, qoftë indirekt timin me Gjykatën Speciale. Dhe e shoh si prej fatkeqësive më të mëdha për vendin tonë. Në vend të gjerave që do të duhej t`i merrte përsipër drejtësia në Kosovë, kemi pasur UNMIK-un, EULEX-in dhe nuk i kanë bërë. Sot përfaqësuesit tanë gjykohen në të njëjtin vend ku janë gjykuar përfaqësuesit e gjenocidit serb. Prandaj, asnjëherë më nuk do ta toleroj asnjë pretendim të tillë, sepse edhe ju gazetarët, por edhe politikanët e Kuvendit e kanë mundësinë ta konfirmojnë a jam duke e thënë të vërteten apo nuk jam duke e thënë të vërteten”, ka thënë ajo, duke shtuar se beson në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.
Analisti Petrit Zogaj ka bërë me dije se deklaratat e djeshme e Gërvallës është konfirmim se ajo ka bashkëpunua me Specialen.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Gërvalla ka treguar që as Specialja nuk e ka marrë seriozisht.
“Gervalla tha ‘Haga ka trajtuar deshmitare te dores se pare, e jo te tille qe mund te ken degjuar dicka,” pjesa e fundit i referohet vetes. Pra, kjo krijese absurde politike, e pranoje vet qe ka bere perpjekje te medhaja qe te merret seriozisht nga Prokuroria Speciale ne Hage, por edhe ata e kane kuptuar qe kjo pos vrerit e urrejtjes patologiike, nuk ka asnje deshmi per vrasjet ne Kosoven e pasluftes. Pra, Gervalla eshte munduar qe te inicoi raste ne Hage me fjale te kafeve. Aq banal eshte ky karakter politik qe ende noton ne Kosove”, ka shkruar ai.
Sipas tij, kryediplomtja e Kosovës e ka pranuar se deri në vitin 2018 ka bashkëpunuar me Specialen.
“Po ashtu e pranoi hapur qe deri me 2018 ka bashkepunuar me prokurorine ne Hage, per rastet qe publiku i Kosoves nuk i dine. Eshte mire me e dite se per cilat raste Gervalla ka bashkepunuar me prokurorine ne Hage? Ndoshta rastet per te cilat ajo ka bashkepunuar, jane ne interes te prokurorise se Kosoves. Kjo “deshmitare e dores se dyte te Hages (deri me 2018 sipas saj), te cilen edhe Haga e paska refuzuar, eshte bashkepunetore e dores se pare per Albin Kurtin, i cili me cdo kusht don me e mbajte afer edhe per disa perdorime tjera”, ka shkruar Zogaj.