Avdyli: Bllokimi i Kuvendit për Slavko Simiqin është i pakuptimtë

Prishtinë | 28 Gus 2025 | 10:48 | Nga Gzim Mujaj

Deputeti i partisë Guxo, Haxhi Avdyli përmendi sërish Gjykatën Kushtetuese, tashmë për sfidën e zgjedhjes së nënkryetarëve të kuvendit, çështje kjo e cila veçse mbetet e bllokuar, raporton Ekonomia Online.

Ai pak para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, tha se bllokimi i Kuvendit për Slavko Simiqin është i pakuptimtë. Megjithatë, shprehet se votimi vazhdon në pako dhe s’ka kthim prapa vetëm nëse rasti shkon në gjykatë.

”Në seancën e kaluar, avazi i bllokimit të vendit nga opozita po vazhdon. Ky bllokim e kishte njëherë emrin, Albulena Haxhiu, e tash ka ndërruar emri, po bllokohet për Slavko Simiqin. Bllokimi i kuvendit për Slavko Simiqin është e pakuptimtë.

Ajo procedurë tashmë është kryer, dhe s’mund të kthehet. Pse duhet në pako, kur lejohet ndaras. Dhe kërkesa e pakicave ka qenë që të votohet ndaras, dhe kjo është respektuar e votuar.

Kolegët e mi nga opozita mendoj që do të lirohen nga mendësia e bllokimit. Ajo pjesa e votimit, është kaluar për tri herë, veçse është kaluar. Nuk e di pse insiston në pako, kur ajo është kryer. Konstituimi i kuvendit mund të vazhdojë, nuk ka më votim në pako, nuk jemi duke folë për borën e parvjetme, ne jemi duke folur për fazën kur ka kaluar procedura në short”, tha ai.

Tutje Avdyli mohoi edhe ofendimet e kryeparlamentarit Dimal Basha ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

”Ai ka sqaru që nuk ka shkru atë artikull, ato pjesë për UÇK-së. Qëndrimi ynë është edhe i çdo qytetari të Kosovës, çdo patrioti të Kosovës se UÇK, është vlera më sublime e vendit””, tha ai.

Të ngjashme