Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas deklaratave të Presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar se akuzat dhe insinuatat e saj rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve.
Presidentja Osmani, gjatë konferencës, u është referuar sërish raporteve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke theksuar se ato përmbajnë të dhëna që lidhen me bashkëpunime të mundshme ndërmjet “disa gazetarëve” dhe njerëz të afërt me Milan Radoiçiqin, i përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe të rrezikshme për sigurinë e vendit.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar edhe këtë të enjte me deklarata thellësisht të papërgjegjshme për postin që mban, duke lidhur ‘disa gazetarë’ me ‘Radojçiqët’ dhe me ‘grusht-shtet’,” thuhet në njoftimin e AGK-së.
“Osmani u është referuar sërish raporteve të AKI-së për të forcuar akuzat ‘për disa gazetarë’, për të cilat AGK mendon se vënë në pikëpyetje sigurinë juridike, jo vetëm të gazetarëve, por edhe të secilit qytetar të Kosovës.”, thekson Asociacioni.