Me intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe atij të Kosovës nisi sot protesta në Hagë, raporton Ekonomia Online.
Mijëra qytetarë po marrin pjesë në protestën në Hagë.
Nga e gjithë bota janë mbledhur, duke kërkuar drejtësi për ish-drejtuesit e UÇK-së.
Ata e konsiderojnë procesin kundër ish-komandantëve të UÇK-së të padrejtë dhe të bazuar në shpifje të Serbisë.
Vërehen edhe forca të shtuara të sigurisë të Holandës.
Protesta nuk po mbahet para ndërtesës së Gjykatës Speciale, sepse kjo nuk është lejuar për shkaqe të sigurisë, por në afërsi të saj.
Kjo protestë po zhvillohet një ditë para se të nisë paraqitja e provave nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë që nga fillimi i nëntorit të 2020-ës. Ata po ballafaqohen me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.



