Çka tha James Rubin gjatë dëshmisë së sotme në Speciale?

Prishtinë | 15 Sht 2025 | 16:14 | Nga Ekonomia Online

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, nisi të hënën dëshminë e tij në Hagë, ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish- drejtuesve të UÇK-së. Seanca shënoi fillimin e fazës së mbrojtjes, pas afro dy vjetësh dëgjimesh nga Prokuroria Speciale.

Rubin, ish-kryezëdhënës i Departamentit të Shtetit amerikan dhe një nga figurat kyçe gjatë procesit të Rambujesë, dëshmoi për takimet e tij me udhëheqësit shqiptarë të Kosovës në fillim të viteve ’90.

Rubin: E kishim të qartë që ai nuk kishte autoritet dhe as nuk mund të diktonte asgjë

Rubin kujtoi edhe takimin e fundit me Thaçin, që sipas tij kishte ndodhur në vitin 2019, ndërkohë që në vitin 2018 kishte punuar me qeverinë e Kosovës përmes një kontrate lobimi për çështjen e paqes me Serbinë.

“Kjo kontratë kishte të bënte me përfaqësimin që bëja në përpjekje për të arritur paqe me Serbinë. Kemi punuar së bashku për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të sjellë një paqe përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi ai.

Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, e pyeti Rubinin për një takim të zhvilluar para 26 vitesh, duke përmendur tre objektiva që, sipas tij, Thaçi kishte kërkuar: marrëveshje politike, garanci ndërkombëtare nga NATO dhe SHBA, si dhe ndërtimin e institucioneve demokratike që do t’i jepnin kosovarëve të drejtën për vetëvendosje pas një faze tranzitore.

“Nuk mund të them saktësisht fjalët që janë thënë, por më kujtohet se përputhet me atë që ai ka thënë gjatë këtyre bisedimeve”, u përgjigj Rubin, duke nënvizuar se kujtesa e tij është e kufizuar për shkak të kohës së kaluar.

Në vijim të dëshmisë, Rubin foli edhe për ngjarjet e Konferencës së Rambujesë në vitin 1999, duke rikujtuar një episod kur ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, i kishte bërë një paralajmërim të drejtpërdrejtë Thaçit:

“Ti personalisht do të jesh përgjegjës për vdekjen e njerëzve të tu nëse nuk ndërron mendje. Lidershipi është për të marrë vendime të vështira. E di që është shumë e vështirë të heqësh dorë nga pavarësia, por nëse nuk pranon, do të humbësh mbështetjen e Perëndimit”.

Sipas Rubin, ishte kërkuar që në dokumentin e Rambujesë të mos përmendej fjala “pavarësi”, për të mos penguar arritjen e marrëveshjes, por Thaçi kishte kundërshtuar një gjë të tillë.

“Thaçi na tha: ‘Po nuk e thashë fjalën pavarësi, mua do të më konsiderojnë si person që ka hequr dorë nga pavarësia’. Personat që kërkonin pavarësinë e Kosovës ishin maksimalistë dhe donin të gjitha gjërat e mundshme”, tregoi ai.

Duke folur për rolin e Thaçit gjatë negociatave, Rubin tha se kishte kuptuar se ai nuk kishte autoritet të plotë për të marrë vendime vetë, por vepronte në bazë të një strukture të brendshme të organizuar.

“Ne nuk e kuptonim mirë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por e kishim të qartë që ai nuk kishte autoritet dhe as nuk mund të diktonte asgjë. Ai thjesht pasqyronte vendimet nga ajo zyra dikur e fshehur — zyra e shqiptarëve që merrnin vendime në grup”.

Rubin: Çdo mëngjes dërgohesha në male për t’u takuar me Hashim Thaçin

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin ka treguar se kishte qëndruar për disa ditë në Kosovë në qershor të vitit 1999, ku çdo mëngjes dërgohej në male për t’u takuar me Hashim Thaçin. Ai gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, tha se ish-sekretarja e Shtetit, Madeliene Albright i kishte thënë që të shkonte në Kosovë.

James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, është dëshmitar i parë i mbrojtjes.Dëshmia e tij është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në gjykatore është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Diplomati amerikan, James Rubin tha se ishte kthyer në Kosovë në qershor të vitit 1999, për të marrë pjesë në “negociatat që kishin të bëjnë me de-militarizimin e UÇK-së”.

Para trupit gjykues, ai tha se ishte ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright i kishte thënë që të shkonte në Kosovë, duke i thënë që “ndalo së bëri çdo gjë që ti po bën”.

“Unë isha zëdhënësi i zonjës Albright. Po punoja për çështjet e Kinës dhe Rusisë, dhe ajo më tha ‘ndalo së bëri çdogjë që t’i po bën dhe duhet të shkosh në Kosovë, duhet të shkosh atje në mënyrë të tillë që të ndihmoni Mike Jackson që të realizojë betimet e veta dhe po ashtu sigurohu që Hashim Thaçi të nënshkruajë marrëveshjen. Kjo është arsyeja pse shkova në rajon”, tha ai.

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin tregoi se gjatë asaj periudhe kishte qëndruar në një hotel në Shkup dhe se çdo mëngjes dërgohej në male për t’u takuar me Hashim Thaçin.

Rubin: Thaçi kishte prioritet mbështetjen amerikane, i hetuam akuzat ndaj tij, asnjë nga ato marri s’ishte e vërtetë

James Rubin, ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, ish-zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, po dëshmon në Gjykatën Speciale në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai tha se për SHBA-në, Kosova ishte çështje primare gjatë luftës dhe se marrëdhëniet me Thaçin ishin të veçanta dhe të jashtëzakonshme.

Rubin foli për takimet me Thaçin. Tha se e kishte krijuar përshtypjen se ish-udhëheqësi i delegacionit shqiptar në Rambuje e shihte Amerikën si simbol të fuqisë dhe si pasqyrim të asaj që ai e konsideronte si shtet i fortë dhe i besueshëm.

“Më është krijuar përshtypja që Amerika për të ishte një simbol dhe një pasqyrim i njëmendtë i asaj që ai konsideronte një shtet i fuqishëm, i mirë. Ai donte që Shtetet e Bashkuara ta respektonin, ta besonin, qoftë me presidencë republikane apo demokratike… Sipas meje, prioriteti i tij më i madh ishte të kishte mbështetjen e udhëheqjes amerikane”, tha Rubin gjatë dëshmisë së tij.

Thaçi, tha ai, nuk kishte ndonjë sjellje apo qasje që do ta rrezikonte mbështetjen amerikane për Kosovën.

“Jo, Thaçi gjithmonë dëshironte të sigurohej që Amerika do të qëndronte në krah të tij dhe të Kosovës”, shtoi Rubin.

Ish-zyrtari i lartë amerikan tha se SHBA-ja ka bërë përpjekje shumë të mëdha dhe të thella për t’i vërtetuar akuzat anonime ndaj Thaçit dhe krerëve të tjerë të UÇK-së për krime.

Lidhur me një artikull të një gazetari të New York Times, Rubin tha se “ishte i keqinformuar nga burime serbe”.

“Ne kemi konstatuar në mënyrë të vazhdueshme se ai përsëriste thashetheme pa prova, por pasi punonte për New York Times, ne duhej të bënim hetime të thella për to, pasi ajo ishte gazetë shumë e rëndësishme”.

Rubin tha se gazetari bënte pretendime që inteligjenca amerikane dhe ekspertët e jashtëm nuk mund t’i konfirmonin.

“Unë u kërkoja komunitetit, agjencive të inteligjencës, ekspertëve të jashtëm, zyrtarëve ushtarakë, të gjithë njerëzve pra që mund të më jepnin informacione lidhur me veprime kriminale apo gjëra të tilla, pyesja ekspertët për krime ndërkombëtare në mënyrë të përsëritur, dhe nuk kemi marrë asnjë konfirmim të këtyre komenteve shpifëse”.

Ai tha se në Departamentin amerikan të Shtetit “ka qenë një zyrë që merrej apostafat me krimet e luftës”.

Disa pretendime, Rubin tha se i hetoi edhe personalisht.

“Asnjë prej akuzave lidhur me rolin e tij dhe udhëheqësit e UÇK-së, apo akuza të tjera të marra, asgjë s’ishte e vërtetë”, tha ai.

Rubin tha se SHBA-ja kishte ndihmuar shqiptarët e Kosovës dhe ata dhe udhëheqësit e UÇK-së ishin “shumë mirënjohës”.

“Unë e di që ne kishim shumë influencë ndaj tyre”, tha ai.

Rubin: Ishim në anën e engjëjve, të mirëve – viktimat s’mund të kryenin krime, ndryshe do të ishte shumë keq edhe për mua, Albright, Clinton

Shtetet e Bashkuara të Amerikës donin të ishin në anën e “engjëjve, të mirëve dhe viktimave” gjatë luftës në Kosovë, tha ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, i cili po dëshmon në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

Rodney Dickson, avokat i Kadri Veselit, e pyeti atë: “Pra, a është e vërtetë që ju nuk mund te kishit partner me asnjë organizatë, në qoftë se kjo organizatë mund të ishte përfshirë në aktivitete terroriste apo krime lufte, dhe ju donit të siguroheshit që të kishit sa më shumë informacion lidhur me këtë temë apo jo?”.

Rubin, tha se do ta bënte të qartë se ish-krerët e UÇK-së “s’mund të ishin viktima nëse do të kryenin krime lufte”.

“Do t’ua bëjë shume te qartë këtu. Pas Bosnjës, ku menduam se e ndaluam një lufte dhe ndihmuam krijimin e një shoqërie tolerante, të mos ishte kaotike, ne ishim krenarë për këtë që bëmë, dhe pamë situatë të re në Kosovë. Dhe ne donim të siguroheshim të ishim në anën e “engjëjve” themi ne, në anën e të mirëve, dhe nuk donim që ata të ishin viktima. Por s’mund të ishin viktima nëse do të kryenin krime lufte, e as nuk do të ishin viktima nese do të kishin qasje ekstremiste islamiste. Në këtë kohë Amerika ishte superfiqi, sigurisht. Donim të ishim në anën e viktimave dhe në qoftë se ndodhte diçka ndryshe, atëherë kjo i takonte të ishte kundër çdo gjëje qe besonte Madeleine Albright, Clinton dhe unë rrjedhimisht”, tha ai.

Rubin tregoi se Thaçi dhe të tjerët atëherë ishin pa pushtet dhe ishin viktima.

Rubin: Në ’99-tën mësova për marrëdhëniet e CIA me Ramush Haradinajn, ishin në kontakt prej vitesh

“Unë besoj se atyre u është thënë të mos angazhoheshin në veprimtari terroriste, të mos kryenin krime lufte, dhe sigurisht, të mos e promovonin fundamentalizmin islamik. Kjo ka qenë politika jonë kryesore asaj kohe”, tha Rubin.

Ish-zyrtari i lartë amerikan tha se kishte mësuar se CIA dhe Haradinaj ishin në kontakt prej vitesh.

“Këtë e kam mësuar vetëm në ’99-tën, por në atë kohë mësova se kjo ka ndodhur edhe në ’98-ën. E di që Gelbard ishte takuar me UÇK-në dhe mësova në ’99-tën kur shkova vetë në Kosovë dhe takova shefin e CIA dhe gjithë punonjësit e CIA, atëherë mësova për marrëdhëniet e tyre me Haradinajn dhe e di që kishte vite që kanë qenë në kontakt me njëri-tjetrin”.

Rubin i prerë: Përvoja ime 25-vjeçare më ka mësuar që këto farë akuzash të llojllojshme janë kampanjë ruso–serbe

James Rubin, ish-Nënsekretar i Shtetit i ShBA-së, pyetur nga avokatja e Jakup Krasniqit për kampanjat dezinformuese të Sllobodan Millosheviqit dhe se ai konsideron ato si të marra “nga libri i lojës” së Federatës Ruse, tha se përvoja e tij mbi 25 vjeçare e ka mësuar që po.

Avokatja: Millosheviqi a e adoptoi librin e lojës së Rusisë për dezinformim?

A i tha Albright – Thaçit se është penalisht përgjegjës për krime pas hyrjes së KFOR-it?, Rubin: Absolutisht jo

Gjatë seancës së mbrojtjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, pyeti ish-zyrtarin e lartë amerikan James Rubin nëse ish-Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, i kishte sugjeruar ndonjëherë Thaçit se ai do të ishte përgjegjës penal për krimet e ndodhura në Kosovë pas hyrjes së trupave të KFOR-it.

Rubin u përgjigj prerazi.

“Absolutisht jo.”

Më tej, Mishetiq pyeti nëse Albright i kishte thënë Thaçit se ishte detyrë e tij të hetonte dhe përndiqte krimet që po ndodhnin pas luftës. Rubin tha se nuk i kujtohej një deklaratë e tillë në terma ligjorë, por sqaroi se Albright kishte pasur një qëndrim të qartë ndaj nevojës për drejtësi individuale.

“Nuk mbaj mend gjë të tillë, por do të thoja që kjo ishte një gjë që ajo donte ta komunikonte; tolerancën që ajo do të donte që Thaçi ta ndiqte, por jo në hollësinë ligjore me të cilën ju pyetët,” u shpreh Rubin.

Ai sqaroi më tej qëndrimin e Albright ndaj drejtësisë dhe hetimit të krimeve të luftës.

“Ajo ishte dikush që përnjëmend e kuptonte rëndësinë e hetimit të krimeve të luftës, asisoji që faji individual të përcaktohej, ndërsa faji kolektiv të zhbëhej. Kjo ishte poenta e Tribunalit Ndërkombëtar në çka ajo zinte besë.”

Rubin theksoi se Albright kishte bindjen se vazhdimi i ciklit të dhunës ndodhte kur krimet u atribuoheshin kolektivisht një populli apo grupi, në vend të individëve konkretë:


Rubin për momentet kritike në Rambouillet: Thaçi gati sa nuk qau – donte lirinë e shqiptarëve, por edhe mbështetjen amerikane

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin kujtoi në Gjykatën Speciale në Hagë negociatat që i bënte SHBA-ja me delegacionin e Kosovës për t’i dhënë fund luftës.

Diplomati amerikan me përvojë tha se në Rambouillet, Hashim Thaçi gati sa nuk qau në takim me Sekretaren amerikane të Shtetit në atë kohë, Madeleine Albright, kur ajo i kërkoi ta nënshkruante marrëveshjen që në thelb nuk e kishte pavarësinë e Kosovës.

“…kur i tha jo Madeleine Albright, sepse ai nuk ishte personi përgjegjës. Madje dukej që e kishte të vështirë kur e tha jo. Gati gati ishte në lot. Kështu që, ai donte të sigurohej që Amerika ta respektonte, ta mbështeste, të kishim besim te ai. Shqiptarët donin të ishin të lirë, të sigurt. Ky ishte prioriteti i tij pra”, tha Rubin, gjatë dëshmisë së tij për Thaçin.

Ai tha se Thaçi i kishte treguar se nuk kishte autoritet të plotë që të nënshkruante pa miratimin e të tjerëve në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Rubin tha se “Thaçi gjithmonë dëshironte të sigurohej që Amerika do të qëndronte në krah të tij dhe të Kosovës”. Ky, tha diplomati amerikan, ishte prioriteti më i madh i atij.

Të ngjashme