Dyshohet se vrau djalin e axhës në Ferizaj, Gjykata cakton një muaj paraburgim për B.R

Prishtinë | 17 Sht 2025 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Një muaj paraburgim i është caktuar B.R, që dyshohet se vrau djalin e axhës së tij në mbrëmjen e 15 shtatorit (2025) në një fshat të Ferizajt. Në komunikatën për media të Gjykatës Themelore të Ferizajt thuhet se i ekziston dyshimi që B.R me dashje e ka privuar nga jeta djalin e axhës me të cilin kishte pasë mosmarrëveshje të mëhershme për shkak të një prone.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 15 shtator rreth orës 19:42, në një fshatë të Ferizajt, i pandehuri me dashje e ka privuar nga jeta të dëmtuarin – djalin e axhës së tij I.R., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme që kishin pasur si pasojë e problemeve në lidhje me një konflikt pronësor, me t`u takuar në rrugën e fshatit me njëri tjetrin, pas fjalosjes verbale në atë moment i pandehuri B.R., e nxjerr revolen e tipit ZIG 14 TISAS Turk, dhe shtënë katër herë në drejtim të viktimës I.R., duke e goditur në pjesët e sipërme të trupit, përkatësisht në regjionin e anës së djathtë, nofullës, regjionin e kraharorit të djathtë dy plagë dhe të dy parakrahët, me ç`rast viktima nga lëndimet e shkaktuara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë rrugës duke e dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj”, thuhet në komunikatën për media.

Të ngjashme