Të rinj arbëreshë nga Molise, turne nëpër Shqipëri

Prishtinë | 24 Sht 2025 | 19:53 | Nga Ekonomia Online

Një grup të rinjsh arbëreshë përfunduan turneun e tyre nëpër Shqipëri, gjatë të cilit vizituan qytete dhe objekte të trashëgimisë kulturore.

Kjo vizitë erdhi si një ide e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA). QSPA-ja u bë stacioni i fundit i turit të tyre, duke simbolizuar një lidhje të fortë midis rrënjëve dhe të ardhmes.

Drejtoresha Ekzekutive, prof. Diana Kastrati, mirëpriti grupin e të rinjve arbëreshë nga Molise. Ata ndanë emocionet dhe përshtypjet nga vizitat në disa prej qyteteve kryesore të vendit. Të rinjtë arbëreshë treguan për përjetimet e tyre, për takimet me njerëz të ndryshëm, si dhe për mikpritjen që gjetën kudo. Me entuziazëm dhe kënaqësi, ata theksuan se kjo eksperiencë do të mbetet e paharruar, duke u bërë një urë e re e komunikimit dhe afërsisë me atdheun e të parëve.

QSPA u shpreh online se, ky aktivitet u realizua nën kujdesin e veçantë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës, duke dëshmuar edhe një herë vëmendjen e institucioneve shqiptare ndaj komuniteteve arbëreshe dhe brezave të rinj që mbartin këtë trashëgimi të çmuar kulturore.

Të ngjashme