Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, mori pjesë në aktivitetet përkujtimore të Epopenë së Jezercit, ku u nderuan dëshmorët e Komunës së Ferizajt.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook, Ahmeti u shpreh se ceremonia përkujtimore i kujton të gjithëve për sakrificat e bëra për lirinë e kombit.
Lideri i BDI-së vlerësoi se dëshmorët përfaqësojnë vlerat më të larta të popullit dhe se kontributi i tyre mbetet i pavdekshëm.
“Sot, në Ferizaj, u bashkuam për të nderuar bijtë dhe bijat më të shtrenjtë të kombit: dëshmorët që me gjakun dhe jetën e tyre i dhanë kuptim lirisë sonë. Epopeja e Jezercit, Dita e Dëshmorëve të Komunës së Ferizajt dhe kujtimi i përjetshëm për Gjeneralin Imri Ilazi – Komandant Ferrin, na kujtojnë se liria është amaneti i tyre dhe përgjegjësia jonë”, shkroi Ahmeti në postimin e tij.
Në fund të mesazhit të tij, kryetari i BDI-së përsëriti respektin dhe nderimin për të gjithë dëshmorët e kombit.
“Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Kombit! Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Epopesë së Jezercit! Nderim i përjetshëm për Gjeneralin Imri Ilazi – Komandant Ferrin!”, ka shkruar Ahmeti.