Policia sekuestron gjashtë kamionë me dru pa dokumentacion në Ferizaj

Prishtinë | 28 Sht 2025 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka njoftuar se njëstitet përkatëse kanë zhvilluar plan operativ për mbrojtjen e pyjeve ku me këtë rast  kanë kryer kontrolle te gjashtë kamionë që transportonin dru në këtë komunë, dhe i kanë kapur pa dokumentacionin e nevojshëm.

Policia ka bërë të ditur se kamionët dhe drunj janë sekuestruar, ndërsa për procedurat e mëtejme ligjore janë njoftuar zyrtarët e pylltarisë.

“Në kuadër të zbatimit të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2025”, më datë 28.09.2025, njësitë policore të stacionit policor në Ferizaj, në fshatin Dardani, kanë realizuar një aksion kontrollues, gjatë të cilit janë ndaluar 6 automjete (kamionë) me targa vendore që transportonin dru.Gjatë kontrollit është konstatuar se shoferët e këtyre automjeteve transportonin lëndë drusore pa dokumentacionin e nevojshëm. Automjetet dhe lënda drusore janë sekuestruar, ndërsa për procedurat e mëtejme ligjore janë njoftuar zyrtarët e pylltarisë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Tutje është paralajmëruar se do vazhdohet kontrolla e tyre së bashku me zyrtarët e pyjeve për ta parandaluar prerjen dhe degradimin.

“Policia Rajonale e Ferizajt, në bashkëpunim me zyrtarët e pylltarisë, do të vazhdojë angazhimin në parandalimin dhe luftimin e prerjes dhe transportit të paligjshëm të drunjve. Njëkohësisht, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë duke raportuar rastet përmes  aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat: 192, 0290/326-250”, përfundon policia.

Të ngjashme