Në pikëkalimin kufitar në Vermicë janë kapur pako me pluhur kolagjen, të cilat siç njofton Dogana e Kosovës ishin të padeklaruara.
“Në Pikën Kufitare në Vermicë, gjatë kontrolleve të rregullta doganore, është identifikuar një rast i tentativës për shmangie të obligimeve doganore. Pas deklarimit të palës se nuk kishte mallra për të deklaruar, gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, zyrtarët doganorë kanë hasur në mallra të padeklaruara, konkretisht 153 pako me pluhur kolagjeni (nga 200 gram secila), të cilat ishin të vendosura në bagazh dhe për të cilat pala nuk kishte paraqitur asnjë faturë apo dokumentacion përcjellës”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Më tej u tha “Malli është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme, ndërsa ndaj palës është inicuar procedurë për kundërvajtje doganore, në bazë të nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës. Dogana e Kosovës vazhdon angazhimin e saj për të ndaluar kontrabandën, për të mbrojtur ekonominë e vendit dhe për të siguruar që mallrat që hyjnë në Kosovë të jenë të kontrolluara dhe të deklaruara sipas ligjit”.