Pritjet dhe ëndrrat e partive për 12 tetor

Prishtinë | 08 Tet 2025 | 11:48 | Nga Behxhet Shala

Interesimi i qytetarëve për të votuar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 është jashtë pritjeve dhe parashikimeve.

Sigurisht se sabotimi i pozitës në nivel qendror për formimin e institucioneve, si dhe “gjumi i thellë” i opozitës, kanë ndikuar që atmosfera para zgjedhjeve të ngjajë më shumë me një vizitë për “kryeshëndosh” sesa përmbushje të detyrimit qytetar dhe ligjor për të votuar.

Fushatat ishin monotone, pa gjallëri, sepse po përtypen gjërat dhe premtimet që as nuk janë realizuar, e as që mund të realizohen. Po të mos ishte dyshi Mehmetaj – Lladrovci, do t’ia krisnim gjumit këto netë të ftohta dhe të mërzitshme.

Do ta veçoja fushatën e Besa Shahinit dhe Natyra Kuçit, Arian Tahirit, Përparim Ramës dhe Uran Ismailit. Madje Urani, gjatë kësaj fushate, çdo të hëne e shpërndante një “gazetë” 4 faqëshe, ku ishte oferta e tij dhe e PDK-së për qytetarët e kryeqytetit.

Shukri Buja ishte shumë aktiv gjatë fushatës. Shaqir Totaj u zgjua nga kllapia e vapës së verës së tejngrohtë.

Debatet televizive nuk i dëgjoj fare. I konsideroj humbje kohe – ose shikoj ndonjë dokumentar, ndonjë ndeshje futbolli, ose lexoj diçka. E përcolla pjesërisht debatin e kandidatëve për Prishtinën. Hajnrullah Çeko nuk erdhi në Klan Kosova të “oligarkëve”, për shkak të patriotizmit folklorik. Hajnrullahu është patriot për aq sa unë jam daja i Xhingis Kanit.

Përrpa ishte mësuar ta dredhë e përdredhë fjalorin. Nuk ishte ai i para katër vjetëve. Kishte më shumë siguri dhe me një arrogancë të menaxhuar mirë dominonte mbi butësinë argumentuese të Uranit dhe Besës. Përrpa po luan tutti per tutti, të gjitha në një kartë, dhe kam bindjen se ia del edhe për një mandat.

Hajnrullahu i iku debatit, kurse përkrahjen më rrënuese ia dha një fake-profesor, llaskuc qeveritar, “prof. dr.” Ramçe.
Qartë po duket se Hajnrullahu nuk po ka interesim të madh ta fitojë Prishtinën – nuk i përshtatet oksigjeni i kryeqytetit. Po as partia nuk është se i ka dhënë ndonjë të shtyme të fortë. Partia që në start e dëmtoi me sloganin zgjedhor: “Hajn(r) Prishtinës”.

Alumni nderi i ardhshëm i Universitetit të Prishtinës, Mefail Bajçinovci, do të kalonte më mirë – votuesit e LVV-së e kanë atë nivel. Urani ishte si Marathomaku – kurrë nuk u ndalë! Ta shohim çfarë lajmi do e dërgojë në parti: ra Sparta apo fitoi Sparta?

Pritjet i rrisin tej kaçikut votues që e kanë. Është normale të jesh optimist. Për rrethanat tona është jonormale të jesh realist!

  • LVV po deklaron se fiton shumicën e komunave. Nëse e aktivizojnë linjën Kusari – Radoiçiq, i kalojnë 10 komuna.
  • PDK ka numrin magjik 10 komuna.
  • LDK konsideron 10 deri në 12 komuna.
  • AAK kënaqet me 5 komuna.
  • NISMA me kryeqytetin politik të saj – Malishevën.
  • LS pretendon 10 komuna – e që ka gjasa edhe t’i fitojë.

Sa komuna i ka vërtet Kosova? Po më dalin si shumë?!

Rezultatet e pritshme (sipas mendimit të autorit):

  1. LVV – Mund të llogarisë vetëm në ato komuna që i fiton pa balotazh. Në komunat ku do të ketë balotazh, ka gjasa të mëdha të mos fitojë asnjë.
  2. PDK – I ka kërcyer vetes në bark në Kaçanik dhe Drenas. Në Dukagjin e ka humbur tokën elektorale, ndërsa në Anamoravë ka dalë nga koma elektorale, vetëm sa për mbijetesë. Aktualisht, vota më e fuqishme e PDK-së është rikthimi i respektit dhe dashurisë për UÇK-në. Më shumë vota iu sjell Gjykata Speciale Raciste sesa puna që kanë bërë me votues.
  3. LDK – Krahasuar me zgjedhjet e fundit, mund të ketë rritje për dy komuna.

Fituesit e projektuar të komunave me shumicë shqiptare:

  • Prishtina: Fitues shumë i mundshëm është Përparim Rama. Nëse shkon në balotazh me Uranin, do të djersitet. Me Çekon e ka më lehtë.
  • Mitrovicë: Besoj shumë Arianit Tahiri, pas balotazhit.
  • Ferizaj: Fitues absolut është Agim Aliu – pa balotazh.
  • Pejë: Fiton Gazmend Muhaxheri, pas balotazhit.
  • Prizren: Nëse ka përkrahjen e pakicave, fiton Shaqir Totaj.
  • Gjakovë: Fitues është Ardian Gjini. Mund të ketë balotazh.
  • Gjilan: Nëse LVV nuk e fiton pa balotazh, në balotazh e humb. Përcaktues – PDK.
  • Kamenicë: Qëndron Kastrati është sfidues serioz. Me përkrahjen e partive të tjera mund të rikthehet.
  • Han i Elezit: PDK fiton, mbase pa balotazh.
  • Kaçanik: Situatë e paqartë – PDK i mpreh dhëmbët për fitore.
  • Shtime: Shpallur kryeqytet i LVV-së. Besoj se mbetet ashtu.
  • Lipjan: Përparësi Imri Ahmetit, para Shukri Bujës.
  • Obiliq: Fiton pa problem Xhafer Gashi.
  • Fushë Kosovë: Përparësi ka LDK me Besnik Osmanin.
  • Vushtrri: Situatë 50-50 – dita e fundit e bën diferencën mes PDK-së dhe LDK-së.
  • Istog: Fiton LDK, pa balotazh.
  • Klinë, Rahovec, Deçan: Fiton AAK (Smajl Latifi në Rahovec).
  • Junik, Dragash: Fiton LDK.
  • Skenderaj: Pa balotazh fiton PDK.
  • Drenas: Ramiz Lladrovci (thuajse pa parti) vs. Petrit Hajdari (me parti të fuqishme). Balotazhi favorizon Petritin. Lufta e Lladrovcit është si e Davidit me Goliatin – por realiteti do të rrëzojë mitet.
  • Suharekë: AAK dhe LDK – pa përfundim të qartë.
  • Podujevë: Beteja e Stalingradit për LDK. Nëse shkon në balotazh, LDK e fiton.

Pasojat politike:

Rezultati i zgjedhjeve lokale do të përcaktojë edhe qeverinë e ardhshme.
Mund të mos ketë fare zgjedhje të reja parlamentare. Por edhe pesë ditë deri të dielën mund të sjellin ndryshime të paparashikueshme.

Të ngjashme