Kryetari i Junikut nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ruzhdi Shehu ka reaguar pas pretendimeve të eksponentëve të AAK-së për manipulim të votave, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke i cilësuar ato si shpifëse dhe të pabazuara.
Shehu në një postim në rrejte sociale theksoi se qëllimi i AAK-së është të njollosin procesin zgjedhor dhe të arsyetojnë humbjen e partisë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Shehu u shpreh se zgjedhjet në Junik u zhvilluan në mënyrë të rregullt dhe pa incidente, dhe sipas rezultateve preliminare, LDK del fituese. Ai shtoi se numërimi i votave të diasporës, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta është ende në proces, por nuk pritet të ndryshojë rezultatin.
Ai iu përgjigj dy akuzave kryesore të AAK-së: rritjes së numrit të votuesve dhe pjesëmarrjes së personave me mbiemra “të huaj”. Shehu sqaroi se rritja e votuesve është normale dhe ndodh në të gjitha komunat, si pasojë e regjistrimeve të qytetarëve të rinj, ndryshimeve të vendbanimeve, martesave dhe kthimit të qytetarëve nga diaspora.
Gjithashtu, Shehu nënvizoi se ndryshimi i vendvotimeve bëhet nga Agjencia e Regjistrimit Civil dhe MPB, jo nga partitë politike, dhe se çdo insinuatë për manipulim është e pabazuar. Ai theksoi se banorët e Junikut me mbiemra atipik jetojnë aty që nga paslufta, janë taksapagues të rregullt dhe kontribuojnë në komunitet, duke demaskuar pretendimet e AAK-së.
Në fund, Shehu bëri thirrje që qytetarët të mos ndikohen nga propagandat e pabazuara dhe shpifjet e AAK-së, duke theksuar se LDK po pret me qetësi çertifikimin e zgjedhjeve nga KQZ dhe konfirmimin e fituesit të zgjedhjeve në Junik.
“Falenderojmë qytetarët e Junikut dhe diasporës për mbështetjen e tyre. Juniku është vend i hapur dhe mikpritës për të gjithë, pa dallim mbiemri apo vendbanimi,” përfundoi Shehu.