Nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmë u mbajt Darka tradicionale e Lamës, në prani të ambasadorëve të vendeve mike, si dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe të jetës shoqërore, raporton Ekonomia Online.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, Presidentja Osmani theksoi se toka është rrënja që mban çdo komb të bashkuar dhe dëshmia më e qartë se puna dhe përkushtimi sjellin begatinë dhe suksesin. Presidentja Osmani kujtoi se kjo Darkë është nismë e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe njëkohësisht shprehje e urtësisë së tij se kombi forcohet me punë, dije dhe dashuri ndaj tokës që na ushqen.
Më tej, Presidentja Osmani vuri në pah sukseset e prodhimeve vendore që tashmë njihen edhe jashtë Kosovës, si ajvari i grave të Krushës, verërat e Rahovecit e Suharekës, si dhe rrushi, mjalti, frutat, çajrat, e shumë produkte të tjera, duke theksuar se këto produkte nuk janë vetëm mallra ekonomike, por edhe tregim i punës, pasionit dhe përkushtimit të njerëzve të Kosovës.“Nga toka fillon gjithçka: Jeta, bereqeti dhe begatia. Toka ushqen çdo familje, toka është rrënja që na mbanë të bashkuar çdo komb dhe si e tillë është dëshmia më e qatë se puna dhe përkushtimi sjellin begatinë dhe suksesin. Sonte në këtë darkë të lamës festën tonë tradicionale, ne nuk po festojmë thjesht fundin e një sezoni të punës, por njëkohësisht po nderojmë edhe vetë filozofinë jetësore të njeriut që jeton me tokën, që e punon tokën që e gëzon kur ajo jep fryt dhe që e falënderon Zotin për këtë fryt. Kjo darkë e Lamës q është nismë e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, është ngjarje kulturore dhe kujtesë e lidhjes sonë, me rrënjët tona, me dheun që na mbanë me traditën që na mëson të jemi mirënjohës. Prandaj sonte ne kujtojmë sërish urtësinë e Presidentit Ibrahim Rugova i cili besonte që kombi forcohet me punë, dije dhe dashuri ndaj tokës që na ushqen. Në traditën tonë kulturore shprehje e çdoditshëm është “Zoti ju dashtë bereqet”, ky urim personifikon filozofinë e jetës dhe përmbledh në vete shpresën, mirënjohjen dhe lidhjen ndërmjet njeriut dhe natyrës. Është shprehja që ka kaluar brez pas brezi, nga sofra e fshatrave dhe qytetarëve tona, tek oborret ku ruhet fara për vitin tjetër”, tha Osmani.
Osmani falënderoi edhe aleatët e Kosovës që qëndruan pran shtetit në çdo kohë.
“Në këtë Darkë të Lamës dua njëkohësisht të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen tonë të thellë për secilin prej atyre që e mbajnë këtë vend gjallë dhe krenar për çdo ditë. Faleminderit nga zemra për të gjithë aleatët e Kosovës që edhe sonte na janë bashkuar në këtë Darkë të Lames e të cilët qëndrojnë çdo herë pranë nesh në çdo sfidë. Respekt të pakufishëm për Policinë e Kosovës, që me profesionalizëm e përkushtim ruan sigurinë e qytetarëve tanë. Për Forcën e Sigurisë së Kosovës që me disiplinë e sakrifice është gardiane e Republikës sonë dhe pasqyra më e pastër e patriotizmit mode. Mirënjohje për zjarrfikësit tanë që përballen me rrezikun për të shpëtuar jetë dhe tokën tonë”, tha mes tjerash Osmani në Darkën e Lamës.
Gjatë fjalimit Osmani ka thënë se Kosova është frymë që nuk dorëzohet.
“Kosova është frymë që nuk dorëzohet, një zemër që rreh fortë për dinjitet, shpresë dhe mirëqenie”, deklaroi ndër të tjera presidentja Osmani.
Osmani e ka vlerësuar se nga të vjelat e familjeve kosovare, rritet edhe ekonomia e vendit.
“Në çdo sezone të vjelash familjet kosovare jo vetëm që sigurojnë ushqimin për tryezat e tyre por edhe e forcojnë ekonominë e vendit sepse në thelb çdo grusht drithëri, cdo shportë me mollë, çdo hardhi rrushi është një gur mbi themelon e shtetit tonë. Shtetit që ndërtohet mbi punën e ndershme dhe mbi respektin për tokën që na ushqen”, u shpreh Osmani.


