OVL-UÇK e ashpër me Hagën, Syla: Druhemi që edhe vendimi final do të jetë politik

Prishtinë | 21 Tet 2025 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat kanë refuzuar shumicën e provave që dokumentojnë krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, në një intervistë për Ekonomia Online, e cilësoi këtë vendim si të padrejtë dhe të papranueshëm, duke theksuar se gjykata ka devijuar nga misioni i saj dhe po gjykon në mënyrë të njëanshme vetëm pjesëtarët e UÇK-së.

“OVL ka qenë gjithmonë në kundërshtim prej që është folur të themelohet kjo gjykatë për shkak se heton këto padrejtësi që po ndodhin edhe sot. Nuk mbaj mend as ne si shoqëri kosovare po as si veteran që ka ekzistuar diku një gjykatë e cila ka gjykuar vetëm një entitet në këtë rast UÇK-në apo vetëm shqiptarët dhe nuk i merr fare parasysh provat që i dërgon në këtë rast mbrojtja e të akuzuarve për krimet që kanë ndodhur nga Serbia, nga forcat militare serbe, prandaj kjo për neve është e papranueshme. Kjo është një arsye që na detyron me u ngrit në këmbë dhe me tregu këto padrejtësi e të gjithë opinionit ndërkombëtar por edhe shqiptar. Po e shihni në protestat e fundit po ndodh një mobilizim i jashtëzakonshëm sepse edhe vet qytetarët e kanë parë që kjo gjykatë ka devijuar nga misioni i saj. Fillimisht kjo gjykatë është themeluar mbi bazën e një raporti që ka qenë në atë kohë raporti i senatorit Dick Marti. Ai raport nuk ekziston fare më në aktakuzë dhe ka humbur arsyen pse është themeluar, pra ka dalë diçka krejt tjetër ku përfundon tek disa dëshmitarë të cilët thonë që ndoshta janë dëmtuar nga UÇK-ja gjatë luftës me një lopë e gjëra të tjera të cilat janë të papranueshme për ne”, ka deklaruar Syla për EO.

Syla tha se kjo gjykatë është themeluar mbi një raport tashmë të paqenë të senatorit Dick Marty, ndërsa theksoi se OVL-UÇK dhe qytetarët janë të vendosur të protestojnë kundër këtyre padrejtësive.

“I ftojmë të gjithë popullin shqiptar kudo që janë ata, sidomos ne si ushtarë të UÇK-së jemi gjithmonë në gatishmëri që të bëhemi bashkë dhe ta ngremë zërin sepse po ndodh një padrejtësi e madhe që mbahet mend në kohën moderne. Një gjykatë që gjykon një etni, në këtë rast luftën çlirimtare të Kosovës, njëanshëm është e papranueshme. Nuk duhet të jetë e papranueshme vetëm për popullin tonë por duhet edhe për faktorin ndërkombëtar. Gjykata Speciale duhet të kemi parasysh është gjykatë politike, edhe në kohën kur është themeluar ka ardhur si ndikim politik i Bashkësisë Ndërkombëtare dhe themelimi i saj, gjë që kemi dëshmuar vetëm se jemi të gatshëm të ballafaqohemi me çdo drejtësi ndërkombëtare, jo vetëm në këtë rast por edhe në rastet e kaluara, Kosova është shembull i ballafaqimit me drejtësinë ndërkombëtare. Ne si organizatë mendojmë që është politike, vazhdon të jetë politike, druhemi që edhe vendimi final do të jetë politik në raport me bashkëluftëtarët tanë që akuzohen atje. Nuk presim që kjo gjykatë do të nxjerrë drejtësi, të gjithë aktivitetin që e bëjmë me protesta e takime e bëjmë në frymën e kësaj me ngrit shqetësime sepse i druhemi vendimit final, pra nuk kemi besim fare që ka me pasur drejtësi, sepse po të kishte, në momentin që raporti i Dick Martit nuk është pjesë e aktakuzës, kjo gjykatë nuk është dashur ta vazhdojë punën sot”, shtoi ai.

Ai theksoi gjithashtu se organizata nuk ka besim se vendimi final do të jetë i drejtë, duke e cilësuar të gjithë procesin si politik.

“Mesazhi kryesor që kemi në protesta është ‘Jo në emrin tim’, me i thënë kësaj gjykate që nuk mundesh me vendos në emrin tim, nuk ke legjitimitet të vendosësh në emrin tim sepse populli po thotë të kundërtën”, theksoi nënkryetari.

Të ngjashme