Ka rënë mbështetja e qytetarëve për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Mbështetja e qytetarëve për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO ka rënë me pothuajse nëntë për qind, krahasuar me marsin e vitit të kaluar, ndërsa numri i kundërshtarëve është rritur me mbi 11 për qind në të njëjtën periudhë.
Këto të dhëna dalin nga rezultatet e një ankete të kryer nga Qendra për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (CEDEM) në muajin shtator.
Për Aleancën Atlantike të Malit të Zi, ky është një konfirmim se elementë pro-rusë dhe anti-NATO ende veprojnë brenda institucioneve dhe strukturave politike.
“Veprimet e tyre synojnë përhapjen e dyshimit, uljen e besimit të qytetarëve dhe relativizimin e qëllimeve strategjike të shtetit”, thanë ata për Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbo-kroate, transmeton Klankosova.tv.
Kur Radio Evropa e Lirë kërkoi një koment mbi këto të dhëna, një zyrtar i NATO-s deklaroi se Mali i Zi përballet me “kërcënime të vazhdueshme hibride nga aktorët rusë dhe të huaj”, duke theksuar se Aleanca vlerëson bashkëpunimin e vazhdueshëm me të.
I pyetur konkretisht për arsyet e rënies së mbështetjes në anketën e fundit, zyrtari i NATO-s i referoi Radios Evropa e Lirë që për këtë të pyeten autoritetet malazeze.
Megjithatë, Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë asnjë deklaratë nga Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi.
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, Dragan Samardziq, beson se rënia e mbështetjes për anëtarësim është pasojë e një kombinimi kompleks të ndikimeve globale, polarizimit të brendshëm dhe uljes së komunikimit të institucioneve shtetërore.
Mali i Zi u bë anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut në qershor të vitit 2017, gjatë sundimit të Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila humbi pushtetin në mesin e vitit 2020.
Disa nga partitë që kanë qenë në pushtet që atëherë, kryesisht ato pro-ruse të Frontit Demokratik, janë kundërshtare të NATO-s.
Lideri i tyre, Andrija Mandiq, aktualisht është kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
Të dhënat e CEDEM për anketën e zhvilluar
Anketa e CEDEM-it, e kryer në shtator, tregoi se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO mbështetet nga 40.7% e të anketuarve, më pak se në mars të vitit 2024, kur kjo mbështetje ishte 49.5%.
Përqindja e kundërshtarëve tani është 42.1%, ndërsa në mars të vitit të kaluar ishte 30.7%.
CEDEM ka zhvilluar hulumtime të opinionit publik për qëndrimet ndaj anëtarësimit në NATO që nga viti 2008.
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se të anketuarit e kanë mbështetur në mënyrë të qëndrueshme anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancë nga mesi i vitit 2020 deri në mars 2024.