Mjeku nga Vushtrria i arrestuar për ryshfet, vjet u denoncua për sulm seksual

Prishtinë | 28 Tet 2025 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Një mjek është arrestuar sot në Vushtrri, nën dyshimin për marrje të ryshfetit.

Mësohet se i dyshuari është Avdullah Vojvoda, e që i njëjti ishte denoncuar vitin e kaluar për sulm seksual ndaj një pacienteje dhe për pasojë kishte përfunduar në prangat e Policisë.

Për këtë kanë njoftuar edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë në koordinim me Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë për Hetimin e  Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas hetimeve disa mujore dhe pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, ka arrestuar një (1) mjek në Vushtrri me iniciale A.V., me dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”. I njëjti akuzohet se në këmbim të mjeteve monetare ka lëshuar vërtetime të ndryshme mjekësore për qytetarët”, thuhet në njoftim të prokurorisë.

Me vendim të prokurorit personit të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orë.

Të ngjashme