4 vjet e 6 muaj burgim të riut shqiptar që kreu vjedhje në fshatrat e Gjakovës

Prishtinë | 28 Tet 2025 | 16:33 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore e Gjakovës ka shpallur aktgjykimin për një shtetas të Shqipërisë i cili akuzohet për vjedhje të rënda në vazhdimësi dhe tentim vjedhje, duke e dënuar me 4 vjet e gjashtë muaj burgim.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se ndaj tij është shqtiptuar edhe gjobë prej 2 mijë eurosh.

“Gjyqtari i vetëm gjykues, Driton Sadiku, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, të pandehurin e shpalli fajtorë dhe i shqiptoi dënim unik me burgim në kohëzgjatje katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj dhe dënim unik me gjobë në shumën prej dymijë (2000) euro”.

Ai akuzohet që ka kryer këto vjedhje në një periudhë 9-ditore gjatë këtij viti në disa fshatra të Gjakovës.

“I pandehuri akuzohet se gjatë periudhës 6–15 korrik 2025, në disa fshatra të Komunës së Gjakovës, ka kryer një sërë veprash penale të natyrës së vjedhjeve, kryesisht në shtëpi të personave që jetojnë jashtë vendit. Fillimisht, ai ka tentuar të kryejë një vjedhje të zakonshme të mbetur në tentativë në fshatin Orize, pastaj në vazhdimësi ka kryer disa veprime të vjedhjes së rëndë duke depërtuar me forcë në nëntë (9) shtëpi të ndryshme me qëllim përvetësimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore në fshatrat Ramoc, Dallashja, Sheremet, Meje, Osek Hilë, por pa arritur të marrë asgjë, duke konsumuar kështu veprën penale të vjedhjes së rëndë në vazhdimësi, e mbetur në tentativë, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në fund, më 15.07.2025, në fshatin Osek Hilë, një nga rastet, i pandehuri ka arritur të marrë para dhe një orë dore nga një shtëpi tjetër, duke kryer kështu veprën penale të vjedhjes së rëndë”.

Të ngjashme