Duket sikurse LVV-së i është ndalë koha në vitin 2021, po kërkon dicka nuk ekziston më. Po e shtyn ditën e zgjedhjeve si nxënësi provimin, me shpresë që ndonjë magji ndodhë ndoshta. Kurti me propozimin e Glauk Konjufcës ka ble disa ditë kohë, asgjë më shumë, e njëkohësisht ka tregu që ai nën presion tashnë po thyhet.
Ndoshta po mendon qe i “duhen disa ditë kohë shtesë që zgjedhjet me u mbajt kur ka më shumë mërgimtarë në Kosovë”. Rrjedhimisht, zgjedhjet pas kësaj lëvizje shtyhen në pjesën e dytë të dhjetorit, me 21 apo 28 dhjetor potencialisht. Por kjo nuk e ndryshon as situatën, realitetin në Kosovë, frymën e as rezultatet.
LVV prej 9 shkurtit e ka kuptu që trendi i saj është në rënie dhe nuk po arrin me reagu pozitivisht në situatën ku gjindet. Tash veç po zvarritet e po blen kohë sa më shumë që mundet. Kjo po ndodhë që prej 10 shkurtit e deri sot. Qindra manovrime që nuk po japin asnjë rezultat pozitiv për LVV-në.
Ajo që nuk po e kupton Kurti është që koha vetëvetiu nuk i zgjidh problemet e tij. Nyja është tek mendësia e tij dhe dëshira për pushtet absolut.
Koha nuk po punon më për LVV-në, e cila është në trend të rënies dhe korrigjimit nga kulmi i saj astronomik i vitit 2021. Rrjedhimisht, LVV veç ka me u tkur, e ai nuk ka me i arritë më kurrë 51%. Sa më shumë kalon koha, aq më pak vota e përkrahje ka.
Përfundimisht, shanca e fundit, karta e artë, që Kurti po shpreson është pranvera. Ai don me u futë në garë bashkë me Vjosa Osmanin, me shpresë që e then përsëri LDK-në dhe i merr votat e nevojshme për me kriju shumicën. Por kjo tashmë është e pamundur. LDK ka lëvizur pozitivisht dhe është në trend të rritjes dhe konsolidimit. E situata, fryma e gjendja në Kosoë nuk ka më asnjë lidhje me 2021-tën.
Ajo frymë e situatë e vitit 2021 ka kalu e përfundu, dhe tashmë për gati pesë vite e kemi provu qeverisjen joefektive të LVV-së. Ajo kohë është e papërsëritshme. Me këtë tentim të fundit, Kurti veçse rrezikon me ia djegë karrierën edhe Vjosa Osmanit, sepse ai nuk po mundet as vetën me e bë Kryeministër, e lerë më me i ofru asaj Presidencën.
Plani për zgjedhje në fund të dhjetorit, me arsyetimin se mërgimtarët e votojnë më shumë, është i paarsyeshëm. LVV nuk ka më votat e mërgatës si në vitin 2021. Fundja, në zgjedhjet e fundit në tetor, partia e parë tashmë është LDK. Ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit, ndikimi i votave të diasporës ishte zero LVV pati 48 mandate pa to, dhe mbeti me 48 edhe pas numërimit të mërgatës.
LVV mundet me dalë partia e parë me më pak se 40%, por nuk mundet me kriju shumicën, as në dhjetor, as në pranverë se më nuk ka partnerë që i besojnë. Prandaj, nuk ka shumë potencial e perspektivë për Kurtin pa u reformu seriozisht LVV dhe pa i korrigju politikat e qëndrimet ekstreme unilaterale. Pa e kuptu rëndësinë e bashkëpunimit dhe pluralizmit në demokraci.
Në këtë kuptim, manovrat me kohën që po i bën janë pa efekt. Ai thjeshtë po blen kohë sepse nuk po i pëlqen më realiteti. Por sa më shumë që kalon koha, aq më keq do të jetë për të. Sa më shpejt që mëson nga qasja e gabuar “o krejt, o asgjë”, aq më mirë për të dhe për LVV-në.. sidomos për Kosovën.