Në Podgoricë zyrtarisht është prezantuar Akademia e Tregut Unik (SMA), prezantim ky që u vlerësua si një fazë e re e procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, një fazë që fokusohet në forcimin e institucioneve, zhvillimin e aftësive profesionale dhe ndërtimin e besimit të nevojshëm për qasjen në Tregun Unik të Bashkimit Evropian.
Aty u vlerësua edhe kjo si një nga iniciativat prioritare në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, Akademia do të ndihmojë në shndërrimin e angazhimeve të reformës në dije praktike, kapacitete institucionale dhe mekanizma të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.
Prezantimi zyrtar u mbajt sot në Podgoricë, në bashkëpunim me Qeverinë e Malit të Zi. Akademia e Tregut Unik është një platformë rajonale që ofron mbështetje profesionale për institucionet e Ballkanit Perëndimor në përafrimin me rregullat dhe praktikat e Tregut Unik të BE-së.
Ceremonia u hap nga Kryeministri i Malit të Zi, z. Milojko Spajić, dhe morën pjesë zëvendëskryeministra dhe ministra të Qeverisë së Malit të Zi, përfaqësues të Komisionit Evropian, të Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, institucione nga i gjithë rajoni dhe ekspertë ndërkombëtarë.
“Duhet ta kuptojmë se procesi i integrimit të plotë nuk përfundon në letër — madje nuk përfundon as me vetë anëtarësimin në BE. Ai duhet të jetë i mishëruar në çdo institucion, çdo procedurë, çdo proces prodhimi dhe në çdo kompani që synon të funksionojë sipas rregullave të Tregut Unik të Bashkimit Evropian,” tha Kryeministri Milojko Spajić, duke theksuar se roli i Akademisë është të përgatisë profesionistë vendas që të punojnë sipas të njëjtave standarde si kolegët e tyre në shtetet anëtare të BE-së.
“Nëpërmjet bashkëpunimit që forcon besimin, Mali i Zi nuk është më vetëm përpara — ai po ndihmon në udhëheqjen e procesit të bashkimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian,” shtoi ai.
Gjatë kesaj ceremonie u arrit nënshkrimi simbolik i partneritetit EU4Trade, duke rikonfirmuar angazhimin e përbashkët për forcimin e sistemeve të standardizimit, akreditimit, metrologjisë dhe mbikëqyrjes së tregut në të gjithë rajonin.
Ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Sh.T.Z. Johann Sattler, theksoi:
“Prezantimi i sotëm është më shumë sesa fillimi i një projekti; ai shënon fillimin e një partneriteti të ri të bazuar në standarde të përbashkëta, të mësuarit e përbashkët dhe një vizion të përbashkët evropian. Akademia e Tregut Unik mishëron se çfarë duhet të jetë marrëdhënia BE–Ballkani Perëndimor: e bazuar në arsim, me qasje praktike dhe e përqendruar në rezultate që qytetarët dhe bizneset mund t’i ndiejnë në jetën e përditshme. Mali i Zi e ka merituar të jetë mikpritës i këtij projekti dhe i inkurajoj të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë maksimalisht nga kjo Akademi dhe mundësia për t’u afruar me Tregun Unik.”
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Mal të Zi, Sh.T.Z. Peter Felten, theksoi se Akademia përfaqëson pikërisht atë që Gjermania synon të promovojë dhe mbështesë në Ballkanin Perëndimor:
“Duke forcuar Tregun UnikRajonal, ne gjithashtu mbështesim Ballkanin Perëndimor në përgatitjen për Tregun Unik të BE-së dhe për anëtarësimin në BE,” deklaroi ai.
Akademia u preznatua në mënyrë simbolike nga znj. Maida Gorčević, Ministre e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, dhe Dr. Tanja Bošković, Menaxhere e Projektit GIZ EU4Trade.
“Sot, mund të them me krenari se kemi bërë gjithçka për ta kthyer këtë ide në realitet — në një projekt që do t’i shërbejë të gjithë rajonit, duke mbajtur me krenari vulën e Malit të Zi. Kur flasim për Akademinë e Tregut Unik, nuk flasim vetëm për një projekt — por për një instrument që lidh reformat me rezultatet dhe krijon një kornizë të përbashkët besimi, një urë ndërmjet rajonit tonë dhe Bashkimit Evropian,” tha ministrja Gorčević.
“Për Malin e Zi, kjo urë ka një domethënie të veçantë — ajo çon drejtpërdrejt anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian në të ardhmen,” shtoi ajo.
Dr. Tanja Bošković theksoi se Akademia “nuk është thjesht një program, por një hapësirë e përbashkët për mësim, besim dhe përparim. Ne jemi gati. Partnerët janë këtu. Rruga është e hapur. Tani — ndërtojmë urën,” përfundoi ajo.
Gjatë ngjarjes u nënshkrua edhe një Deklaratë Ceremoniale Bashkëpunimi në kuadër të programit EU4Trade, duke rikonfirmuar angazhimin e përbashkët të Komisionit Evropian, Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe GIZ për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përgatitjen për Tregun Unik të BE-së nëpërmjet themelimit të Akademisë së Tregut Unik.
Akademia e Tregut Unik (SMA) është themeluar në kuadër të projektit EU4Trade, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Gjermanisë, dhe zbatuar nga GIZ.