Një deklaratë e papritur nga ish-banori i “Big Brother VIP 2”, Krist Dragot, ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, pasi ai zbuloi gjatë një interviste në emisionin “Ftesë në 5” se me partneren e tij ka pasur debate të forta për veshjen – por edhe një takim të parë që askush s’e priste.
Në temën e ditës, që kishte në fokus modën e burrave dhe ndryshimet e saj ndër vite, Bieta Sulo vuri të ftuarit përballë disa pyetjeve me humor, për të zbuluar se sa ndikojnë partneret në mënyrën si vishen meshkujt.
Një prej situatave që moderatorja u propozoi ishte:
“Kam bërë debat me partneren time për të veshur një kombinim që donte ajo, por në fund kam bërë siç doja vetë.”
I pari që mori fjalën ishte Krist Dragot, i cili u tregua i sinqertë:
“Nuk e di nëse partnerja ime pëlqen si vishem në fakt. Nuk më duket se do ishte ideali i vet një mashkull që vishet si unë. Ndoshta ka një ideal tjetër. Jam i sigurt.”
Në atë moment, ndërhyri me humor moderatori dhe producenti Arjon Muça, i cili e pyeti:
“Jeni takuar në plazh për herë të parë?”
Kristi, pa u menduar gjatë, e ktheu me një përgjigje që shkaktoi të qeshura në studio:
“Po, pa rroba fare.”
Pyetjes tjetër të Arjonit – nëse ai i jep mend partneres për mënyrën si vishet – Kristi iu përgjigj me qetësi:
“I jap mend, por nuk e di sa vlen. Ndoshta thjesht duhet ta pranosh se si vishet dhe të mos e bëjmë debat fare. Është debat i fortë. Në një marrëdhënie e ke qejf kontrollin në një farë mënyre, dhe mënyra se si vishet një person tregon a ka shumë kontroll te ti apo s’ka.”
Deklaratat e tij janë komentuar gjerësisht në rrjete sociale, ku shumë ndjekës vlerësuan sinçeritetin dhe humorin e tij, ndërsa të tjerë e cilësuan provokues dhe paksa të tepruar.