Militarizimi i shteteve: kërcënim apo shpëtim për botën?
Një thirrje globale për paqe
Bota në dekadën e dytë të shekullit XXI po përjeton ndryshime të thella dhe të rrezikshme. Rritja e tensioneve, gara për resurse dhe dominim, si dhe ndërhyrjet e fuqive të mëdha në territore të pasura, po e shndërrojnë planetin në skenë përplasjeje të interesave ekonomike, politike dhe ushtarake.
Në kërkim të resurseve strategjike, të domosdoshme për teknologjinë moderne, superfuqitë po përdorin ushtritë dhe aparatet e tyre të sofistikuara ushtarake për pushtim, nënshtrim dhe copëtim të territoreve të dobëta e jo për ruajtjen e paqes. Ndërhyrje të tilla asnjëherë nuk e kanë sjellë paqen; ato vetëm sa kanë thelluar konfliktet, kanë shkaktuar destabilizim dhe kanë rritur vuajtjen e popujve.
Militarizimi i sotëm nuk është shenjë sigurie. Ai nuk është as rritje ekonomike, edhe pse industria ushtarake po zgjerohet me ritme marramendëse. Përkundrazi, është një devijim i rrezikshëm nga prioritetet e zhvillimit njerëzor: arsimi, shëndetësia, teknologjia civile, ndërtimi i mirëqenies dhe stabilitetit social.
Ajo që po e udhëheq botën sot nuk është vizioni, por egoja. Pra, interesat e ngushta të udhëheqësve idealistë të së kaluarës, të cilët përpiqen të realizojnë ëndrrat e tyre të vjetra me mjetet shkatërrimtare të epokës moderne. Kjo arrogancë politike po e vë në rrezik ekzistencën tonë kolektive o njerëz bote.
Ndërkohë, ne po shohin mobilizime të reja, rekrutime të imponuara…. Për çfarë athua? Janë përgatitje për konflikte të reja e ne heshtim dhe heshtja jonë na shndërron në pjesëmarrës të pavullnetshëm të këtyre proceseve.
Sa herë që ne nuk reagojmë, bëhemi instrumente të lojërave të fuqisë, duke u sjellë si dele të bindura në shërbim të interesave që nuk janë tonat.
Është koha e fundit që secili nga ne të bëjë Thirrje për Paqe si domosdoshmëri për mbijetesën e njerëzimit.
• Ne duhet të kërkojmë fundin e militarizimit të pakontrolluar.
• Ne duhet të kërkojmë që buxhetet e luftës të kthehen në buxhete për zhvillim.
• Ne duhet të kërkojmë dialog në vend të kërcënimeve.
• Ne duhet të kërkojmë drejtësi globale, jo dominim global.
• Ne duhet të kërkojmë lidership që ndërton paqe, jo luftë.
Paqja është forca jonë. Paqja është e vetmja rrugë e ndershme dhe e qëndrueshme për të ardhmen.
Le të ngrihen popujt. Le të flasin zërat e shumicës së heshtur.
Le të kundërshtojmë politikat e shkatërrimit dhe t’i kthejmë udhëheqësit e botës në llogaridhënie.
Sepse nëse sot nuk ngrihemi për paqen, nesër do të mbijetojmë vetëm në kujtimet e një bote që dikur e patëm.