18 ditë pa paga, punëtorët e RTK-së paralajmërojnë grevën e përgjithshme, përmendin edhe protestat

Prishtinë | 18 Nën 2025 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të futën të hënën në grevë të përgjithshme, e kështu do të nisin edhe masat sindikale, meqenëse ata ende nuk kanë marrë pagën e muajit nëntor.

Në komunikatën për media kanë paralajmëruar edhe protesta.

“SPERTK njofton se greva e përgjithshme në RTK do të fillojë të hënën, duke shënuar nisjen e masave sindikale për shkak të mosshpërndarjes së pagave dhe neglizhencës së institucioneve për zgjidhjen e krizës së rëndë financiare në transmetuesin publik. Sindikata kërkon nga të gjithë vartësit, nga menaxhmenti deri te Bordi i RTK-së, që të marrin vendim të qartë për MOS-MBULIMIN e asnjë ngjarjeje politike në Kosovë, deri në realizimin e kërkesave legjitime të punëtorëve. Si shenjë proteste, SPERTK kërkon që në ekranin e RTK-së çdo ditë të shfaqet njoftimi “Punëtorët e RTK-së pa paga”, derisa të zgjidhet situata. SPERTK paralajmëron se së shpejti do të fillohen protestat në shesh, para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, si vazhdim i presionit sindikal ndaj institucioneve të vendit”, thuhet në komunikatën e sindikatës.

Përgjegjës për këtë krizë financiare atë bëjnë të gjitha partitë politike.

“Përgjegjësi për këtë krizë të rëndë financiare e kanë të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës. Ne nuk po e kuptojmë se në një situatë të tillë, ju vazhdoni të veproni normalisht, duke injoruar ekzistencën e 700 familjeve që varen nga puna në RTK. Kjo është shkelje e rëndë dhe cenim i të drejtave të njeriut, për të cilën dikush mund të mbajë përgjegjësi ligjore”, thuhet mes tjerash.

Megjithëkëtë ata edhe njëhere i kanë bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe partive që të ndërmarrin masa konkrete dhe të alokojnë buxhetin e RTK-së.

“Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Kurti dhe të gjitha partive politike që të ndërmarrin menjëherë masa konkrete dhe të alokojë buxhetin e RTK-së, sipas ligjit, pasi RTK është institucion publik dhe funksionimi i tij nuk mund të lihet në krizë financiare. Kjo situatë nuk do të tolerohet më. Sindikata paralajmëron se masat sindikale do të ashpërsohen dita-ditës, derisa kërkesat e punëtorëve të realizohen plotësisht. Me këtë letër njoftojmë institucionet kompetente se shpallim zyrtarisht grevën nga e hëna e javës së ardhshme në gjithë RTK-në. SPERTK i fton të gjithë kolegët që të vazhdojnë mbështetjen, siç kanë bërë deri tani, dhe të ruajnë unitetin, i cili është forca jonë kryesore në këtë proces”, përfundon komunikata.

Të ngjashme