Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të martën bëri thirrje që Hamasi të dëbohet nga rajoni, një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së i dha mbështetje planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Plani gjithashtu i ofron amnisti Hamasit.
Netanyahu publikisht e kishte mbështetur planin e Trumpit gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë në shtator. Megjithatë, komentet e tij të reja duket se e shfaqin ekzistencën e dallimeve me Shtetet e Bashkuara rreth rrugës që duhet ndjekur tutje. Edhe Hamasi është ankuar për disa pjesë të planit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Diplomatët thonë se pozicionet e rrënjosura në të dyja anët, nga pala izraelite dhe Hamasi, e kanë bërë të vështirë avancimin e planit, të cilit i mungojnë afatet e saktësuara kohore ose mekanizmat e zbatimit. Megjithatë, propozimi ka marrë mbështetje të fortë ndërkombëtare.
Netanyahu të martën publikoi një varg shkrimesh në rrjetin X si reagim ndaj votimit të rezolutës së ShBA-së për Gazën në OKB. Në një shkrim, ai e duartrokiti Trumpin dhe në një tjetër tha se Qeveria e Izraelit beson se plani do të çojë në paqe e mirëqenie, sepse bën thirrje për “demilitarizimin, çarmatosjen dhe deradikalizimin e plotë të Gazës”.
“Izraeli ua zgjat dorën në paqe dhe mirëqenie të gjithë fqinjëve të vet” dhe u bën thirrje vendeve fqinje që “të na bashkohen në dëbimin e Hamasit dhe mbështetësve të tij nga rajoni”, shtoi kryeministri izraelit.
Kur u pyet se çfarë nënkuptoi Netanyahu me dëbimin e Hamasit, një zëdhënës tha se një gjë e tillë do të thoshte “të sigurohemi se nuk ka Hamas në Gaza siç përvijohet në planin 20-pikësh dhe që Hamasi të mos ketë aftësi për t’i qeverisur palestinezët brenda Rripit të Gazës”.
Në planin 20-pikësh të Trumpit përfshihet një nen ku thuhet se anëtarëve të Hamasit “që zotohen për ekzistencë të përbashkët paqësore dhe për dorëzimin e armëve të tyre, do t’u jepet amnisti” dhe anëtarëve që duan të largohen do t’u ofrohet kalim i sigurt në vende të treta.