Ministri i Jashtëm i Francës sonte në diskutime me homologët evropianë rreth Ukrainës

Prishtinë | 21 Nën 2025 | 21:29 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, do të zhvillojë një telefonatë me homologët evropianë të premten në mbrëmje për të diskutuar për Ukrainën, sipas një burimi diplomatik francez.

Burimi tha se diskutimi në të ashtuquajturin format i Uashingtonit do të mbahet me kryediplomatët e Gjermanisë, Polonisë, Britanisë, Finlandës dhe Italisë si dhe me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Formati i Uashingtonit” i referohet një takimi të krerëve të shteteve në kryeqytetin amerikan më herët këtë vit, ku ishin mbledhur udhëheqës nga shtetet e përmendura më sipër për t’i diskutuar përpjekjet për paqe në Ukrainë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të premten se propozimet e Shteteve të Bashkuara për paqe në Ukrainë mund të jenë themeli i një zgjidhjeje të konfliktit, por nëse Kievi e refuzon planin, atëherë forcat ruse do të avancojnë edhe më shumë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, ka thënë se i ka dhënë afat Ukrainës deri të enjten e javës së ardhshme që ta pranojë planin amerikan, i cili mbështet kërkesa kyçe të Rusisë rreth heqjes dorë nga Ukraina për anëtarësim në NATO dhe njohjen e rajoneve të kontrolluara nga Rusia në Ukrainë.

“Unë besoj se ai [plani] mund të përdoret si bazë për një zgjidhje paqësore përfundimtare” – tha Putini në një takim të zyrtarëve të lartë në Këshillin e Sigurisë të Rusisë.

Të ngjashme