Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) në nisjen e konferencës treditore lidhur me të dhënat digjitale dhe lirinë në internet ka publikuar raporton vjetor lidhur me shkeljet e të Drejtave digjitale 2024-2025 e që sipas këtij raporti rezulton se gjatë kësaj periudhe të monitorimit, gjithsej 1 mijë e 440 shkelje të të drejtave digjitale u regjistruan në gjithë rajonin.
Drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra u shpreh se tre vjet më parë kur edhe kishin nisur dizajnimin e këtij projekti, kishte shumë pak njohuri për të drejtat digjitale, por që thekson se deshën të krijojnë gjeneratë të re gazetarësh që raportojnë për të drejtat digjitale.
“U siguruam që të edukojmë publikun në të drejtat digjitale, jemi në vitin e tretë të këtij projekti dhe jemi të lumtur që kemi trajnuar 40 gazetarë nga rajoni që të përdorin të drejtat digjitale dhe kemi prodhuar 200 artikujt mediatik në këtë fushë. Si rezultat i këtyre hetimeve shumë institucione kanë përmirësuar mbrojtjen e të drejtave private dhe çdo ditë e më shumë po raportohen shkeljet e të drejtave digjitale”, tha ajo.
Kryesuesja e hulumtimit për drejtat digjitale në BIRN Hub Megi Reçi, bëri një prezantim të konkluzioneve kryesore të raportit vjetor dhe fenomeneve më sistematike në fushën e shkeljes së të drejtave digjitale.
“Shpesh edhe ata që janë të prekur nuk e vërejnë. Individët përballen me shkeljet më të mëdha, më pas mediat, gazetarë e politikanë e institucione”, ka thënë ajo.
Ndërsa Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se nuk duhet të lejohet që liria e internetit të përdoret si mburojë për sulme, shpifje e denigrim.
Internetin e kemi menduar gjithnjë si hapësirë të lirë, ku secili mund të dëgjohet, të mësojë dhe të lidhet me të tjerët pa barriera. Por përballë këtij potenciali të jashtëzakonshëm nuk duhet të lejojmë që një hapësirë e krijuar për t’u lidhur të na ndajë. Mos të lejojmë që liria e internetit të përdoret si mburojë për sulme, shpifje dhe denigrim. Liria e internetit është kthyer në një nga shtylla themelore të demokracie moderne sepse mëshiron lirinë e shprehjes, informimit dhe privatësisë në universin digjital. E pikërisht sepse është hapësirë e lirë, njëkohësisht është dhe më ekspozuara ndaj keqpërdorimit, prandaj shkalla e rrezikshmërisë vazhdimisht po rritet, qoftë për përdoruesit, për përmbajtjen por edhe për mënyrën sesi ndërtohet diskursi publik”, u shpreh Osmani.
Në raporto thuhet se shkeljet më të shpeshta lidhen me lirinë dhe pluralizmin e informacionit dhe me mbrojtjen nga manipulimi, ku janë 356 raste apo 24.7%, të drejtat ekonomike dhe mbrojtjen e pasurisë digjitale (348 raste, 24.2%), si dhe sjelljen kërcënuese dhe përmbajtjen e dëmshme (342 raste, 23.8%). Secila prej këtyre tre kategorive përbënte afërsisht një të katërtën e të gjitha rasteve, duke arritur së bashku rreth 73%, çka nënvizon përhapjen e vazhdueshme të këtyre shkeljeve të të drejtave digjitale”- thuhet ne raport.
Tutje, theksohet se liria e shprehjes dhe mediat përbënin 182 raste (12.6%), dhe pjesëmarrja dhe angazhimi qytetar digjital 120 raste (8.3%).
