Shorti i Kupës së Botës zhvillohet të premten, por thuhet se një numër lojtarësh do të mungojnë në ceremoni për shkak të çështjeve të vizave.
Shorti për edicionin e vitit 2026 do të mbahet në “Kennedy Center” në Washington, D.C, më 5 dhjetor në orën 18:00 – me përfaqësues nga çdo federatë që pritet të marrin pjesë.
Megjithatë, ka pasur probleme të mëdha që lidhen me Iranin, i cili po merr pjesë në Kupën e Botës për herë të shtatë pasi kryesoi grupin e tij kualifikues të AFC me 23 pikë nga 10 ndeshje.
Irani, ashtu si Haiti, janë dy pjesëmarrësit e Kupës së Botës që përfshihen në listën e vendeve të ndaluara të shpallur nga Donald Trump në qershor.
Afganistani, Myanmari, Çadi, Kongo-Brazavilë, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni gjithashtu u përfshinë në kufizimet e udhëtimit.
Sportistët përjashtohen, ashtu si trajnerët dhe anëtarët e ngushtë të familjes – por ndalimi e bën jashtëzakonisht të vështirë për qytetarët iranianë të marrin pjesë në ndeshjet që mbahen në SHBA.
Administrata e Trump ka pretenduar se vendi është “burim i terrorizmit të rëndësishëm në mbarë botën”, “nuk bashkëpunon për çështje sigurie” dhe “historikisht ka dështuar të pranojë mbrapsht shtetasit e tij të dëbueshëm” – komente të cilat Irani i ka kundërshtuar.
Raportohej se nëntë zyrtarë iranianë mund të ndalohen nga shorti i ardhshëm i Kupës së Botës në Washington, përfshirë presidentin e federatës Mehdi Taj dhe trajnerin Amir Ghalenoei.
Së fundmi, raportimet pretendojnë se Irani ishte gati të bojkotonte shortin nëse nuk miratoheshin të gjitha vizat e kërkuara.
Sipas “Khabar Online”, Federata Iraniane e Futbollit dërgoi një listë me nëntë persona për viza, por u informua nga administrata e Trump se vetëm tre do të lejoheshin – dhe gjashtë duhej të hiqeshin nga lista.
Sipas “Tehran Times”, katër persona kanë marrë viza – përfshirë trajnerin Ghalenoei, drejtorin ekzekutiv Mehdi Kharati, drejtorin e marrëdhënieve ndërkombëtare Omid Jamali dhe zëdhënësin Amir Mehdi Alavi.
Megjithatë, presidentit të federatës, Taj, nuk i është dhënë vizë dhe ai është drejtuar tek presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, për situatën.
Ai më herët kishte dhënë garanci se të gjitha çështjet do të zgjidheshin dhe se të gjithë do të ishin “të mirëpritur”.
Ai dhe Alavi kanë konfirmuar se Irani synon të mos marrë pjesë në event nëse nuk lëshohen të gjitha vizat.
Alavi tha: “Me gjithë respektin për kombëtaren iraniane, nëse lëshohet vizë për të marrë pjesë në ceremoninë e shortit dhe për të diskutuar lidhur me vizitën dhe përcaktimin e kampit pritës, delegacioni iranian do të udhëtojë drejt vendit të shortit. Përndryshe, pasi ta njoftojmë shpejt dhe qartë FIFA-n për vendimet e mundshme joproporcionale dhe politike të vendit pritës për ceremoninë, delegacioni iranian nuk do të marrë pjesë në shortin e Kupës së Botës”, shkruan Gazeta Express.
Duke pritur së bashku me Kanadanë dhe Meksikën, Shtetet e Bashkuara do të organizojnë 78 nga 104 ndeshjet – përfshirë finalen në New Jersey më 19 korrik.
Për ata që dëshirojnë të udhëtojnë dhe të marrin pjesë, ambasadat amerikane do t’u japin prioritet takimeve për vizë tifozëve me bileta – me sistemin e ri të FIFA-s për planifikimin e takimeve (Pass) që synon ta bëjë procesin më të lehtë.
400 oficerë shtesë konsullorë janë vendosur për të përballuar kërkesën e madhe për bileta dhe viza, të cilat nuk garantohen, por u mundësojnë tifozëve të caktojnë një intervistë brenda 6 deri në 8 javë nga aplikimi i tyre.