Rrjeti i Organizatave Joqeveritare për Anti-Korrupsion, AVONET, ka bërë të ditur se një operator ekonomik dyshohet të ketë marrë pjesë në tenderë publikë me dokumente të falsifikuara në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës dhe Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.
Sipas komunikatës, gjatë monitorimit të dy procedurave të prokurimit janë identifikuar dokumente që “ngjallin dyshime të arsyeshme për keqpërdorim dhe falsifikim”. Në të dy dosjet e ofertimit, kompania ka paraqitur një CV, një kontratë pune dhe një certifikatë diplome, të cilat – sipas AVONET – janë përdorur pa dijeninë e personit që figuron në to.
“Personi në fjalë, dizajner i diplomuar, ka deklaruar se nuk ka qenë kurrë në marrëdhënie pune me këtë operator ekonomik dhe se nënshkrimi i tij është përdorur pa autorizim”, thuhet në komunikatë.
Sipas AVONET-it, kjo paraqet një indikacion të qartë se kompania A.R.F. SHPK ka përdorur dokumente të falsifikuara në proceset e tenderimit, duke cenuar ndershmërinë e garës.
“Kjo përbën një indikacion serioz se A.R.F. SHPK ka përdorur dokumente të falsifikuara në proceset e prokurimit publik, duke cenuar integritetin e procedurave dhe konkurrencën e drejtë”, thekson AVONET.
Bazuar në gjetjet, AVONET ka dorëzuar kërkesë zyrtare në Prokurorinë e Shtetit për nisjen e hetimeve për disa vepra penale, përfshirë Deklarim të rremë nën betim, Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, Keqpërdorim të besimit dhe Falsifikim të dokumenteve, të përcaktuara në Kodin Penal të Kosovës.
Organizata ka kërkuar po ashtu nga të dy spitalet që të nisin procedurat për diskualifikimin e operatorit ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit, në përputhje me nenet 99 dhe 65 të Ligjit për Prokurimin Publik.
Në fund, AVONET thekson se do të vazhdojë monitorimin e proceseve të prokurimit publik.
“Ne mbetemi të përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të proceseve dhe do të vazhdojmë publikimin e rasteve që cenojnë interesin publik dhe besimin e qytetarëve”, thuhet më tej në komunikatë.