Arrestohet një person për disa raste të vjedhjes në Ferizaj

Prishtinë | 05 Dhj 2025 | 17:09 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës në Ferizaj ka arrestuar një person të dyshuar për disa raste të vjedhjes, të raportuara më 4 dhjetor 2025 në zona të ndryshme të qytetit. Sipas njoftimit zyrtar, rasti i parë është raportuar rreth orës 20:04 në rrugën “Zenel Hajdini”, ku në një market janë vjedhur disa artikuj ushqimorë. Rasti i dytë është raportuar rreth orës 21:00, në rrugën “Lulzim Guta”, ku nga oborri i një shtëpie janë vjedhur disa palë këpucë.

“Rreth orës 21:20, njësitet policore kanë lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarin N.A. (31 vjeç), i cili pas intervistimit në Njësinë e Hetimeve ka pranuar kryerjen e të dy rasteve të sipërpërmendura,” thuhet në komunikatën e Policisë.

Hetuesit kanë theksuar se bazuar në provat, mënyrën e kryerjes së veprave dhe video-inçizimet, i dyshuari është intervistuar edhe për dy raste të tjera të vjedhjes të ndodhura më herët në qytet.

“Më 15.10.2025, në rrugën ‘Esat Mekuli’, ai kishte vjedhur disa palë këpucë, ndërsa më 31.10.2025, në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, në Xhaminë e Madhe, kishte vjedhur pajisje elektronike të zërimit dhe këpucë,” njofton policia, duke shtuar se i dyshuari ka pranuar përgjegjësinë edhe për këto raste.

Sipas policisë, pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin e shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me të gjitha rastet po vazhdojnë.

“Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe zbardhjen e veprave penale, si dhe në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët,” thuhet në komunikatë.

Të ngjashme