Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve të ish-ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila sot para mediave ka përmendur OEK-un si “akter politik opozitar” dhe ka pretenduar se ky institucion ka dekurajuar bizneset të aplikojnë për skemat e granteve.
Në komunikatë, OEK thotë se i ka pranuar me shqetësim këto deklarime, duke i cilësuar ato të padrejta dhe të pavërteta.
“OEK-i i konsideron këto deklarime të pabazuara, të dëmshme dhe të papranueshme për një institucion që për dekada ka qenë partner konstruktiv i të gjitha qeverive, pa dallim,” thuhet në reagim.
OEK mohon pretendimet se ka ndikuar në biznese që të mos aplikojnë për përkrahje financiare.
“Ne rikujtojmë se Oda Ekonomike e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme i ka inkurajuar bizneset të aplikojnë në çdo skemë mbështetëse, përfshirë ato për grante, duke e parë këtë si një instrument të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e konkurrueshmërisë,” thekson OEK.
Sipas institucionit, çdo pretendim i kundërt është tentim për të njollosur punën e tyre.
“Fatkeqësisht, duket se suksesi dhe ndikimi i vazhdueshëm i OEK-ut në zhvillimin ekonomik të vendit po vazhdon të pengojë disa akterë, të cilët në mungesë të argumenteve po zgjedhin diskurs të pavërtetë,” thuhet në komunikatë.
OEK i ka kërkuar ish-ministres Rizvanolli që deri më 8 dhjetor 2025 të paraqesë prova të qarta dhe të verifikueshme për pretendimet e saj.
“Në mungesë të këtyre provave, OEK do të jetë e detyruar të iniciojë procedurat ligjore, padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit të institucionit, pasi deklarime të tilla të pabazuara cenojnë integritetin tonë,” thuhet tutje.
Në reagim, OEK ka rikujtuar edhe çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë, duke theksuar se ish-ministrja ka përgjegjësi për dëmet që kanë përjetuar bizneset.
“Znj. Rizvanolli do të duhet të japë llogari për dëmet e shkaktuara bizneseve nga mënyra e papërgatitur dhe e njëanshme e futjes së tyre në tregun e lirë të energjisë, proces i cili ka sjellë vështirësi serioze financiare dhe operacionale për shumë ndërmarrje vendore,” deklaron OEK.
Institucioni shprehet se do të vazhdojë të punojë duke mbrojtur interesat e bizneseve.
“Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e përkushtuar që të punojë profesionalisht, në mënyrë të pavarur dhe pa përfshirje politike, duke mbrojtur interesin e bizneseve dhe të ekonomisë së vendit. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë me transparencë dhe integritet,” përfundon komunikata.