​IKKL ka mbledhur materiale nga 14 shtete, Hetemi: Arkiva e krimeve të luftës po bëhet pikë reference ndërkombëtare

Prishtinë | 13 Dhj 2025 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës (IKKL) ka arritur të grumbullojë materiale arkivore nga 650–700 burime të ndryshme, të ardhura nga 14 shtete, duke u shndërruar në një qendër reference për studiues, gazetarë dhe producentë ndërkombëtarë.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i institutit, Atdhe Hetemi, në “Përballje Podcast” në Telegraf, duke theksuar se arkiva e Institutit ka shënuar rritje të jashtëzakonshme brenda një periudhe të shkurtër.

“Sot kemi mbi katërqind metra material fizik arkivor. Vlera e një arkivi matet pikërisht me këtë – me sasinë dhe cilësinë e materialit që posedon”, tha Hetemi.

Sipas tij, materialet janë mbledhur nga fotoreporterë të luftës, media vendore dhe ndërkombëtare, familjarë të viktimave dhe vetë viktimat e mbijetuara.

“Instituti është shndërruar në një pikë grumbullimi, por edhe në një pikë referencimi, sepse arkivat tona sot vizitohen nga profesorë, gazetarë, producentë dhe artistë nga vende të ndryshme”, theksoi ai.

Hetemi nënvizoi se çdo material arkivohet dhe verifikohet sipas standardeve profesionale, me procesverbale dhe fonde arkivore të veçanta, duke garantuar përdorimin e tyre për hulumtime shkencore, dokumentarë dhe procese gjyqësore.

Ndryshe, Hetemi në këtë pofdcast sqaroi se Instituti ka një kornizë të qartë ligjore për dokumentimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve ekonomike, psiko-sociale, dëmeve në ambient dhe shkatërrimit të trashëgimisë kulturore.

Periudha prioritare mbetet 1 janar 1998 – qershor 1999, por ligji i jep hapësirë edhe për dokumentimin e krimeve që çuan drejt luftës – përfshirë helmimet e nxënësve në vitet ’90 dhe vrasjet e ushtarëve shqiptarë në ish-APJ.

Një pjesë e rëndësishme e episodit i kushtohet helmimeve të nxënësve në vitet 1990–1992, një temë që gjeneratat e reja pothuajse nuk e njohin.

Të ngjashme