Kosova mund të frenojë ikjen e mjekëve përmes rritjes së numrit të specializimeve, zgjerimit të mundësive për edukim profesional dhe futjes së sigurimeve shëndetësore, vlerëson kryesuesi i Kuvendit të Asociacionit të Spitaleve Private të Kosovës (ASPKS), Floren Kavaja.
Sipas tij, këto masa do të krijonin kushte më të qëndrueshme për mjekët e rinj dhe do të ngrinin cilësinë e sistemit shëndetësor vendor.
Kavaja në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online theksoi se kombinimi i këtyre politikave do të ndikonte drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit profesional të stafit shëndetësor dhe në forcimin e sistemit shëndetësor publik dhe privat.
Kavaja tha se shëndetësia në vend është duke shënuar progres dhe se forca e saj varet nga bashkimi ndërmjet institucioneve publike dhe atyre private.
“Shëndetësia kosovare nuk është keq, është në hapa të mira shëndetësore, po për me qenë në një nivel tjetër më të lartë është mirë që me u bë bashkimi i këtyre mendjeve, bashkimi i zhvillimit të institucioneve publike dhe private bashkërisht në mënyrë që shëndetësia kosovare të hyp në një piedestal më të lartë”, tha ai.
Ai nënvizoi se ndalimi i ikjes së mjekëve është ndër sfidat kyçe dhe se kjo arrihet vetëm duke krijuar më shumë hapësira për specializime dhe mundësi edukimi.
“Ajo çka është kryesore është që ikja e trurit kosovar, ikja e mjekëve kosovar të ndalohet apo të zvogëlohet. E kjo nuk mund të zvogëlohet ndryshe përpos në forma të ndarjes në numër më të madh të specializimeve, edukimeve shëndetësore, arsimore ma të mëdha, është mundësitë e punësimit të mjekëve të gjeneratave të reja specialistike, në një”, tha ai.
Kavaja vlerësoi se futja e sigurimeve shëndetësore do të kishte ndikim madhor në sistemin shëndetësor.
“Nën dy, sigurimet shëndetësore kishin me luajtë një rol jashtëzakonisht më të madh edhe ndoshta pikërisht futja e sigurimeve shëndetësore kishte me qenë një ndihmesë më e madhe për ngritjen e piedestalit shëndetësor në Kosovë”, tha ai.
Në vazhdim, ai theksoi se sektori publik dhe ai privat nuk rrezikojnë të mbesin pa staf shëndetësor, pasi profesionalizimi dhe edukimi i vazhdueshëm i mban mjekët të lidhur me Kosovën.
“Unë mendoj që spitalet publike edhe private nuk mbesin pa personel shëndetësor, pse? Ndarja e specializimeve, edukimet e vazhdueshme shëndetësore për stafin tonë, ngrisin në nivel më të lartë profesionistët shëndetësorë. Mandej profesionistët shëndetësorë e kanë një treg të hapur qoftë në Kosovë, qoftë në BE. Unë mendoj se niveli ku shëndetësia kosovare është momentalisht, është edhe mjaft atraktiv edhe për mjekët të cilët specializojnë dhe mbesin në Kosovë. Kemi raste të tilla ku shumë mjekë, specialist me emër dhe me renome ndërkombëtare nga BE-ja kthehen veprojnë edhe ushtrojnë profesionalizmin e vet edhe këtu në Kosovë. Kjo nuk është e rastësishme, kjo është një gjë që tregon se niveli shëndetësor në Kosovë ka filluar që të marrë hapat e veta të mirëfillta”, tha ai.
Sa i përket dallimeve ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, ai sqaroi modelin e funksionimit dhe arsyet e tarifave në institucionet private.
“Shikoni një gjë, në institucionet publike komplet janë shërbimet pa pagesë, ose janë me një participim minimal. Është politika shëndetësore që realizohet në Kosovë që ofron këtë shërbim. Institucionet private janë institucione të cilat vetëfinancohen, pikërisht shërbimeve të cilat i ofrojnë profesionale. Këtu është ai dallimi pse në institucione private paguhet e në institucione publike nuk paguhet. Sa i përket shërbimeve, çmimeve, jam shumë i sigurt se si çmime të shërbimeve profesionale janë çmimet më të ulëta në rajon, janë çmime minimale për ofrimin e shërbimit shëndetësor edhe për mundësinë e krijimit të një standardi shëndetësor, realisht duke e parë vetëfinancimin të cilin janë duke e bërë institucionet private”, tha ai.
