Paraburgim një muaj për katër të dyshuar për narkotikë dhe armë në Ferizaj

Prishtinë | 15 Dhj 2025 | 14:41 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve M.B., A.L., A.B. dhe Sh.B., nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, si dhe veprën penale mbajtja në kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktvendimit, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit për Krime të Rënda, Fitore Krivanjeva Daci, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartcekura.

“Më datë 12 dhjetor 2025, rreth orës 17:15, të pandehurit pa autorizim kanë poseduar substanca narkotike me qëllim shitje ose ofrimi për shitje”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Sipas gjykatës, paraprakisht të pandehurit M.B. dhe A.L. kanë sjellë në Republikën e Kosovës substancë narkotike të llojit kokainë, me peshë rreth 4.620 gram, ndërsa më pas i pandehuri L.Z. ka kontaktuar me A.B. dhe Sh.B., duke i udhëzuar që kjo substancë të dërgohej në parkingun e “B.M” në V., si dhe duke u dhënë detaje për veturën e personit që do ta blinte narkotikun.

“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit A.B. janë gjetur dhe sekuestruar pesë role folie plastike të tejdukshme, katër palë dorëza pune, dorëza llastiku ngjyrë të zezë, gërshërë dhe një lug metalik kuzhine, të cilat dyshohet se janë përdorur për mbështjelljen e substancës narkotike”, theksohet më tej.

Po ashtu, ndaj të pandehurit A.B. ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale të mbajtjes në kontroll ose posedimit të paautorizuar të armëve.

Sipas gjykatës, “nga një datë e papërcaktuar deri më 12 dhjetor 2025, i pandehuri ka mbajtur pa autorizim një revole të markës ‘Glock’, prodhim austriak, kalibër 9 mm, me një karikator me një fishekë, e cila është gjetur dhe sekuestruar nga Policia e Kosovës”.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit si të bazuar dhe, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Gjykata ka njoftuar palët se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.

Të ngjashme