Një grup i kandidatëve për prokurorë të shtetit, kanë reaguar ndaj vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për anulimi të procesit të rekrutimit për njëzet pozita për prokurorë të rinj të shtetit. Ata kanë kërkuar të rishqyrtohet vendimi për anulim, duke njoftuar për hapa lidhur me përgjegjësi eventuale penale pas vendimit për anulim të këtij procesi.
Këshilli Prokurorial në takimin e 280-të të mbajtur më 11 dhjetor 2025 kishte anuluar procesin e rekrutimit të prokurorëve të rinj, pikë e cila ishte trajtuar me dyer të mbyllura për publikun.
Ndërkaq, gjatë takimit të hapur ,anëtari nga radhët e shoqërisë civile, Visar Krasnqi, kishte thënë se Jetish Maloku dhe Agron Qalaj duhej të përjashtohen nga pika e rendit të ditës- propozimi i Komisionit për rekrutimin e prokurorëve, pasi janë në konflikt interesi, e që Qalaj ishte tërhequr.
Në anën tjetër, në reagimin e bërë nga kandidatët për prokurorë të shtetit, ata kanë shprehur shqetësim të thellë pas vendimit të KPK-së për anulimi të procesit, i cili kishte arritur deri në fazën e intervistimit të shumicës së kandidatëve.
Këtë vendim, kandidatët për prokurorë e quajnë arbitrar dhe theksojn se ky vendim ka ardhë pas zhvillimeve të fundit brenda për brenda KPK-së.
“Këtij vendimi arbitrar padyshim se i kanë paraprirë një sërë ngjarjesh të zhvilluara kohëve të fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin normal të Këshillit”, thuhet në reagim.
Aty thuhet se më 17 nëntor 2025 papritmas ishte pezulluar faza e intervistimit të kandidatëve, ndonëse shumica prej tyre e kishin përfunduar këtë fazë.
Në këtë reagim, theksohet se anulimi i procesit përbën ndërhyrje serioze dhe cenim të parimeve themelore të sigurisë juridike.
“Anulimi i procesit në këtë stad të avancuar përbën një ndërhyrje serioze që cenon parimet themelore të sigurisë juridike, transparencës, barazisë së trajtimit dhe besimit të ligjshëm të kandidatëve në institucionet publike. Kandidatët kanë investuar kohë, përgatitje profesionale dhe përkushtim për përmbushjen e kritereve dhe pjesëmarrjen në këtë proces, duke u bazuar në pritshmërinë e ligjshme se procedura do të zhvillohej dhe do të përfundonte në përputhje me Rregulloren Nr.02/2022 për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin e Prokurorëve të Shtetit”, thuhet më tutje në këtë reagim.
Sipas reagimit, në procesin e vendimmarrjes për anulim të rekrutimit kanë marrë pjesë anëtarë të KPK-së, që sipas rrethanave, thuhet se kanë qenë në konflikt të hapur të interesit.
“Për më tepër, në procesin e vendimmarrjes për anulimin e procesit të rekrutimit kanë marrë pjesë edhe anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës të cilët, sipas rrethanave faktike dhe dispozitave ligjore në fuqi, kanë qenë në situatë të pastër të konfliktit të interesit. Pjesëmarrja e tyre në shqyrtim dhe votim përbën shkelje të parimeve të paanshmërisë, objektivitetit dhe integritetit institucional, si dhe bie ndesh me obligimin ligjor për vetë përjashtim nga vendimmarrja në raste të tilla”, thuhet në reagim.
Andaj, një veprim i tillë, sipas kandidatëve për prokurorë, ndikon drejtpërdrejt në ligjshmërinë dhe vlefshmërinë e vendimit.
Prandaj, në reagim thuhet se një veprim i tillë i marrë nga anëtarët e KPK-së, ngre dyshime të bazuara për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
“Nga rrethanat që e kanë shoqëruar këtë vendim rezultojnë gjithashtu elemente serioze që ngrenë dyshime për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, veçanërisht në aspektin e tejkalimit të kompetencave ligjore dhe ndikimit të mundshëm të interesave personale ose të palëve të treta në një proces që duhet të jetë ekskluzivisht profesional dhe meritokratik”, thuhet gjithnjë sipas reagimit.
Në reagim është sqaruar se për këtë situatë do të njoftohet Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit për shqyrtimin e rrethanave që lidhen me konfliktin e interesit dhe integritetin institucional. Po ashtu, edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me qëllim të vlerësimit të përgjegjësisë penale eventuale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Gjithashtu, në reagim është kërkuar nga përfaqësues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të reagojnë publikisht lidhur me anulimin e procesit dhe me rrethanat që e kanë shoqëruar këtë vendim.
Sipas tyre, heshtja përballë padrejtësisë do të përbënte dështim moral dhe profesional, nëse edhe në një proces rekrutimi, i cili duhet të jetë shembull i transparencës, meritokracisë dhe barazisë së trajtimit, tolerohen shkeljet pa reagim.
Në fund, është kërkuar nga KPK që të rishqyrtojë vendimin për anulimin e procesit të rekrutimit dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit, të mundësojë vazhdimin dhe përfundimin e procesit të rekrutimit për kandidatët që kanë kaluar fazat paraprake të vlerësimit.
Reagimi i plotë:
Ne, grupi i kandidatëve për prokurorë të shtetit, pjesëmarrës në procesin e rekrutimit të shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me vendimin e KPK-së për anulimin e këtij procesi, të marrë në kuadër të mbledhjes së 280-të të Këshillit.
Procesi i rekrutimit ka qenë në një fazë të avancuar të zhvillimit. Kandidatët pjesë e këtij reagimi kanë kaluar me sukses fazat thelbësore të konkurrimit, përfshirë testin kualifikues dhe testin me shkrim, ndërsa një numër i konsiderueshëm i tyre kanë përfunduar edhe fazën e intervistimit. Kjo fazë nuk u përmbyll për shkak të vendimit të papritur për anulimin e procesit.
Këtij vendimi arbitrar padyshim se i kanë paraprirë një sërë ngjarjesh të zhvilluara kohëve të fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin normal të Këshillit.
Pikërisht në këtë periudhë, me datë 17.11.2025, u pezullua papritur faza e intervistimit për kandidatët që ishin ende në pritje, ndonëse shumica e kandidatëve tashmë e kishin përfunduar këtë fazë të procesit.
Anulimi i procesit në këtë stad të avancuar përbën një ndërhyrje serioze që cenon parimet themelore të sigurisë juridike, transparencës, barazisë së trajtimit dhe besimit të ligjshëm të kandidatëve në institucionet publike. Kandidatët kanë investuar kohë, përgatitje profesionale dhe përkushtim për përmbushjen e kritereve dhe pjesëmarrjen në këtë proces, duke u bazuar në pritshmërinë e ligjshme se procedura do të zhvillohej dhe do të përfundonte në përputhje me Rregulloren Nr.02/2022 për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin e Prokurorëve të Shtetit.
Për më tepër, në procesin e vendimmarrjes për anulimin e procesit të rekrutimit kanë marrë pjesë edhe anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës të cilët, sipas rrethanave faktike dhe dispozitave ligjore në fuqi, kanë qenë në situatë të pastër të konfliktit të interesit. Pjesëmarrja e tyre në shqyrtim dhe votim përbën shkelje të parimeve të paanshmërisë, objektivitetit dhe integritetit institucional, si dhe bie ndesh me obligimin ligjor për vetëpërjashtim nga vendimmarrja në raste të tilla.
Mungesa e vetëpërjashtimit ndikon drejtpërdrejt në ligjshmërinë dhe vlefshmërinë e vendimit, duke e bërë atë të kontestueshëm si nga aspekti procedural, ashtu edhe nga ai material.
Nga rrethanat që e kanë shoqëruar këtë vendim rezultojnë gjithashtu elemente serioze që ngrenë dyshime për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, veçanërisht në aspektin e tejkalimit të kompetencave ligjore dhe ndikimit të mundshëm të interesave personale ose të palëve të treta në një proces që duhet të jetë ekskluzivisht profesional dhe meritokratik.
Në këtë kontekst, ju informojmë se do të inicohet procedurë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për shqyrtimin e rrethanave që lidhen me konfliktin e interesit dhe integritetin institucional. Po ashtu, do të ndërmerren hapa për adresimin e kësaj çështjeje pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me qëllim të vlerësimit të përgjegjësisë penale eventuale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe faktin se procesi i rekrutimit të prokurorëve është monitoruar nga fillimi deri në këtë fazë nga përfaqësues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ne i ftojmë këta akterë që të reagojnë publikisht lidhur me anulimin e procesit dhe me rrethanat që e kanë shoqëruar këtë vendim.
Angazhimi dhe reagimi i tyre është i domosdoshëm për garantimin e llogaridhënies institucionale si dhe për ruajtjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial.
Funksioni i prokurorit të shtetit përfaqëson një obligim të lartë etik dhe kushtetues për mbrojtjen e ligjshmërisë, drejtësisë dhe interesit publik. Prokurori duhet të jetë i guximshëm, i pavarur dhe i vendosur për të reaguar sa herë që vëren shkelje të ligjit, konflikte interesi apo vendimmarrje arbitrare, veçanërisht kur këto ndodhin brenda vetë institucioneve të drejtësisë. Heshtja përballë padrejtësisë do të përbënte dështim moral dhe profesional, sepse nëse edhe në një proces rekrutimi, i cili duhet të jetë shembull i transparencës, meritokracisë dhe barazisë së trajtimit, tolerohen shkeljet pa reagim, atëherë me të drejtë lind dyshimi se çfarë drejtësie dhe çfarë mbrojtjeje mund të presin qytetarët e zakonshëm nga një sistem që nuk ka guxim të mbrojë parimet mbi të cilat është ndërtuar.
Duke marrë parasysh të gjitha si më lartë, ne kërkojmë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që:
• të rishqyrtojë vendimin për anulimin e procesit të rekrutimit;
• dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit, të mundësojë vazhdimin dhe përfundimin e procesit të rekrutimit për kandidatët që kanë kaluar fazat paraprake të vlerësimit.
Me respekt!”.