Lëvizja FOL ka organizuar ceremoninë e fundvitit, me ç’rast ka ndarë Çmimin për Guxim Qytetar, i cili këtë vit iu nda aktivistëve Flutura Kusari, Ehat Miftaraj, Eugen Cakolli, Agon Maliqi, Xhemajl Rexha dhe Albert Krasniqi, për angazhimin e tyre në mbrojtje të demokracisë, lirisë dhe integritetit institucional.
Në këtë ceremoni u theksua se këta aktivistë “e kanë ngritur zërin aty ku rrezikohej demokracia, liria dhe integriteti institucional, duke dëshmuar se guximi qytetar vazhdon të jetë forca më e rëndësishme që mbron shoqërinë tonë”.
Drejtorja e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, tha se sot më shumë se kurrë shoqëria ka nevojë për aktivistë të guximshëm.
“Në një shoqëri ku mbrojtja e vlerave demokratike kërkon më shumë se mirëkuptim – kërkon guxim – aktivistët janë zëri që nuk lejon heshtjen të bëhet normë”, tha ajo.
Sipas Demolli-Nimanit, në një mjedis ku liria e shprehjes dhe integriteti institucional shpesh sfidohen, janë individët e përkushtuar ata që “e mbajnë të ndezur dritën e llogaridhënies”. Ajo shtoi se me këtë çmim nderohen ata që, pavarësisht presioneve dhe sulmeve, kanë mbetur të palëkundur në mbrojtje të interesit publik.
Edhe anëtarja e Bordit Këshillëdhënës të Lëvizjes FOL, Luljeta Plakolli-Kasumi, theksoi rëndësinë e zërit qytetar.
“Faleminderit që keni zgjedhur zërin dhe që refuzoni të mbeteni indiferentë. Janë pikërisht njerëzit që nuk heshtin ata që e mbajnë gjallë interesin publik”, tha ajo.
Në komunikatë u theksua se aktivistja Flutura Kusari është angazhuar vazhdimisht në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të medias, duke avokuar për mbrojtje më të madhe të gazetarëve dhe duke kundërshtuar diskursin armiqësor ndaj tyre. Ajo ka qenë gjithashtu kundër Ligjit për Komisionin e Pavarur, i cili më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa për shkak të aktivizmit të saj është ndër gratë aktiviste më të sulmuara.
Sipas FOL-it, Ehat Miftaraj ka luajtur rol kyç në ngritjen e zërit për transparencë dhe llogaridhënie në sektorin publik, duke ekspozuar shkeljet kushtetuese, praktikat korruptive dhe cenimin e të drejtave të njeriut. Për qëndrimet e tij publike, ai ka qenë cak i sulmeve të vazhdueshme.
Ndërkaq, Eugen Cakolli është vlerësuar për angazhimin e tij në mbrojtje të integritetit zgjedhor dhe funksionimit demokratik të institucioneve, duke ngritur shqetësime për menaxhimin e proceseve zgjedhore, kufizimet e mandatit të Qeverisë në detyrë dhe bllokadën institucionale në Kuvend. Për këtë angazhim, ai është përballur me presione dhe sulme të vazhdueshme.
Në komunikatë thuhet se kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, është angazhuar gjatë gjithë vitit në mbrojtje të sigurisë së gazetarëve dhe kundër sulmeve e fushatave denigruese ndaj tyre. Ai ka qenë i zëshëm në kritikat ndaj Ligjit të KPM-së dhe kontrollit partiak mbi RTK-në, ndërsa ka qenë edhe cak i kërcënimeve me jetë. Po ashtu, në vitin 2025 Rexha është zgjedhur anëtar i Bordit Drejtues të Federatës Evropiane të Gazetarëve.
Albert Krasniqi është vlerësuar për angazhimin e tij të vazhdueshëm në ruajtjen e rendit kushtetues, integritetit të proceseve zgjedhore dhe barazisë në garën politike, duke adresuar shkeljet në financimin e fushatave dhe praktikat që dëmtojnë interesin publik.
Ndërsa, Agon Maliqi, sipas FOL-it, ka sfiduar përpjekjet për instrumentalizimin e krizave të sigurisë dhe tensioneve me Serbinë për shtypjen e mendimit kritik, duke dekonstruktuar narracionet populliste dhe militariste dhe duke vënë në pah pasojat e tyre për demokracinë dhe perspektivën euro-atlantike të Kosovës.
Lëvizja FOL thekson se ndarja e Çmimit për Guxim Qytetar është një mesazh i qartë se shoqëria ka nevojë për zëra të guximshëm që mbrojnë interesin publik dhe vlerat demokratike.