Bitcoin, midis korrigjimit dhe konsolidimit

Prishtinë | 17 Dhj 2025 | 11:09 | Nga Arsim Ajeti

Për herë të parë këtë vit Bitcoin ra nën 70,000 euro për njësi, ndërsa qindra artikuj nga Bloombergu deri tek Financial Times vetëm sa shtuan pasigurinë rreth asaj që shkaktoi këtë rënie të lirë. Në anën tjetër, kemi dollarin amerikan i cili po humbet vlerën kundrejt euros, dhe nuk ka ndonjë shqetësim medial nga kjo prirje negative e monedhës më të përdorur në botë. Disi ironike, nëse kemi parasysh se vetëm një vit më parë bitcoin nuk u mor seriozisht as nga analistët e tregut në Wall Street, jo e jo nga bankat apo institucionet financiare si JP Morgan ose Vanguard, ndërsa tani të gjithë po flasin për të.

Mbase cështja kryesore që duhet trajtuar nuk janë luhatjet e medha, e as spekulimet mediale, por cfarë ndikojë tek institucionet me renome që ndryshuan radikalisht çasjen ndaj bitcoinit, dhe pse ky ndryshim po ndodh tani.

Për të kuptuar çështjen e parë duhet të kemi ca njohuri se çfarë ndikoi tek çështja e dytë, dhe kjo përfshin tri pika themelore:

-përshtatja institucionale

-lëvizjet teknike dhe,

-indikatorët makroekonomike

Ndryshimi i madh rreth ‘bitcoinit’ filloi pas fitores së Presidentit Trump, më pas bitcoin përjetoi një rritje parabolike nga ndjesia pozitive dhe hapja institucionale që pritej të kishte duke marrë parasysh qëndrimin pro-bitcoin të Presidentit Trump. Edhe situata makroekonomike ishte në favorin e bitcoinit, pasi inflacioni shenonte rritje të vazhdueshme pas stagnimit ekonomik në nivele globale, dhe rritja në vlerë e bitcoinit së bashku me arin erdhi natyrshëm. E tëra kjo ndikoi që shumë investitorë t’i konsiderojnë këto investime si mënyrën më të sigurt për t’u mbrojtur nga inflacioni.

Për dallim nga ari, i cili si aset me vlerë është i njohur ndërkombtarishtë dhe i cili u ble në masë nga të gjitha shtetet me ekonomi të zhvilluar, bitcoini stagnoi në këtë drejtim pasi që shumica e institucioneve financiare ende e konsiderojnë si aset spekulativ.

Përderisa ari me sukses po arrin rekorde të reja nga rritja e vazhdueshme, bitcoini vazhdon ta ‘vuaj’ ngecjen legjislative e cila po lëviz shumë ngadalë drejt pranimit të bitcoinit si aset me vlerë.

Vlen të theksohet se disa nga katalizatorët shtesë që kontribuan në rënien e bitcoin ishin shitja e fondeve të tregtuara në bursën spot Bitcoin (ETF), me një shitje të raportuar prej rreth 1.5 miliardë dollarësh në muajin Nëntor, sipas Bloomberg-ut, dhe kjo vetëm sa shtoi pasigurinë midis investitorëve të rinj.

Një faktor tjetër po aq i rëndësishëm është çështja e aspektit teknik. Bitcoin, si çdo aset tjetër në treg, varësisht nga sasia dhe metoda e tregtimit të tij kalon nëpër disa faza të cilat i njohim si ‘korrigjim’ ose ‘konsolidim’.

Nëse marrim në konsideratë luhatjet e fundit dhe performancën e tregjeve sot, faza në të cilën bitcoin konsiderohet të jetë është faza e konsolidimit, dhe kjo do të thotë kur çmimi i një aseti tregtohet brenda kufijve teknikë të ‘mbështetjes’ dhe ‘rezistencës’, në vend që të lëvizë në një drejtim.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme mbetet çështja makroekonomike ose pranimi i bitcoin si aset me vlerë. Kjo fazë mund të zgjasë me vite, varësisht nga legjislacionet shtetërore dhe politikat e fondeve sovrane për të investuar, si dhe periudha kur investohet. Megjithatë, bitcoin përmes derivateve ‘ETF’ tanimë tregtohet nga Blackrock, JP Morgan, Goldman Sachs etj.

Vlen të theksohet se disa fonde sovrane të vendeve si Salvadori, Republika Çeke dhe Luksemburgu kanë vepruar në këtë drejtim. Ndërsa Qeveria Amerikane kryeson në investimet e bëra në bitcoin i cili përbën 200 mijë njësi btc të alokuara si rezerva shtetërore, sipas një publikimi nga agjencia qeveritare ‘White House’.

Së fundmi, bitcoin po kalon nga faza ku shumica e atyre që e tregtonin ishin individë të rinj, pa ndonjë ekspertizë financiare (por me njohuri kompjuterike) në fazën ku bëhet pjesë e institucioneve financiare. Dhe jo rastësisht këto institucione janë të interesuara ta zotërojnë atë me çmimin më të favorshëm në treg.

Të ngjashme