“Është proklamuar me pompozitet”, Ekspertët me mendime të ndryshme për armatimin e Kosovës

Prishtinë | 20 Dhj 2025 | 08:32 | Nga Gzim Mujaj

Njohësit e sigurisë, ish-ushtaraku Hysen Gecaj dhe profesori universitar Avni Islami, kanë dhënë mendime të ndryshme lidhur me investimet dhe menaxhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), raporton Ekonomia Online.

Hysen Gecaj në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online ka shprehur rezervat e tij për mënyrën se si janë promovuar disa kontrata dhe deklarata për armatim, duke theksuar se shpesh ato kanë mbetur vetëm deklarata pa rezultate konkrete, gjë që, sipas tij, ka ndikuar në besimin e qytetarëve. Ndërkaq, Islami ka vlerësuar seriozitetin e institucioneve dhe investimet e realizuara si tregues të angazhimit për rritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe institucioneve të tjera të sigurisë.

Gecaj ka theksuar se nënshkrimi i kontratave për blerje të armatimeve për FSK-në nuk paraqet problem nëse bëhet në interes të vendit, por ka vënë në dukje se shumë projekte të mëparshme janë bërë më shumë si deklarata se sa si realizime konkrete.

“Për mua në princip nënshkrimi i kontratave për blerje të armatimeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, por edhe çfarëdo kontrate që është në interes të vendit, nuk do të kishte dhe nuk do të paraqiste problem për kohën se kur nënshkruhen, mirëpo përderisa kemi shumë raste të tjera që është proklamuar me pompozitet se po nënshkruhen dhe se po e forcojmë FSK-në me armatime, me kabinete për ndërtimin e dronëve, pastaj me fabrika të municioneve dhe me fabrika të dronëve, dhe të gjitha këto kanë mbetur në fakt vetëm si një deklaratë dhe si një orientim drejt opinionit për çështje të caktuara. Në një farë mënyre humbet edhe besimi në raport me popullatën”, tha ai.

Gecaj ka shtuar se deklarata të tilla nuk janë të dobishme as për FSK-në dhe as për vetë Qeverinë, duke theksuar se rëndësi kanë veprimet konkrete dhe jo vetëm nënshkrimi i dokumenteve.

“Edhe kjo deklaratë në këtë fushatë nuk është ajo që do t’i duhej FSK-së dhe nuk do të duhej të ishte as e dobishme edhe për vetë qeverinë, për shkak se është me rëndësi të shihen momente kur do të prehen shiritet e atyre fabrikave dhe jo të ulemi të nënshkruajmë disa letra dhe më pastaj të harrojmë se çka kemi nënshkruar. Këso situata kemi pasur edhe në të kaluarën për fat të keq, ose kemi pasur realizim apo zbatim të tyre në një minimum, i cili nuk është se e ndihmon shumë vendin. Prandaj e them se përderisa kemi deklarata vetëm për një akt nënshkrim të një marrëveshjeje për të cilën nuk dimë shumë, për mua nuk është diçka që duhet t’i besojmë shumë dhe të kemi ndonjë kënaqësi të madhe për interesin e vendit”, tha ai.

Sipas tij, besimi i qytetarëve në deklarata të tilla është zbehur, pasi shumë prej tyre kanë mbetur vetëm në nivel marketingu politik.

“Natyrisht kjo edhe për shkakun se ka humbur besimi në deklarimet e këtilla, në pamje të tilla televizive, ose në rrjetet sociale ku thjesht bëhet vetëm sa për një marketing dhe pastaj ato gjëra heshtin”, tha ai.

Ai ka theksuar se, sipas tij, në këtë qeveri loja me fjalë ka qenë më e theksuar sesa në të kaluarën dhe se deklaratat nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.

“Loja me fjalë është pjesë e politikës dhe kjo po ndodh edhe në këtë qeveri sidomos, ka ndodhur edhe në të kaluarën, por jo në këtë shkallë dhe në këtë intensitet siç po ndodh tani. Po e them loja me fjalë për shkak se deklaratat e tilla në fakt në fund nuk po rezultojnë me një të arritur konkrete dhe nëse themi se një qeveri ka investuar më shumë se të tjerët, duhet edhe t’i kuptojmë fazat nëpër të cilat ka kaluar FSK-ja”, tha ai.

Gecaj ka kujtuar se FSK-ja ka kaluar nëpër faza të ndryshme zhvillimi, duke theksuar se në të kaluarën ka pasur kufizime për blerjen e armatimit, ndërsa tani këto kufizime nuk ekzistojnë më.

“Ka qenë një periudhë kur FSK-ja nuk ka pasur të drejtë fare të blejë armatime, prandaj edhe nuk kemi mundur të investojmë shumë. Por është investuar në atë pjesën ku ka pasur mundësi, në përgatitjen e kuadrave, pastaj kur iu lejua FSK-së erdhi momenti kur mund të investojmë në armatim dhe tani nuk shoh se kemi kufizime, sidomos kur kemi mbështetjen e SHBA-së e cila është një partner serioz për FSK-në. Mirëpo këto kapacitete prapë nuk po shfrytëzohen konform mundësive që janë hapur në kuptimin politik dhe bashkëpunimit me SHBA-në. Unë jam i sigurt që nesër në qoftë se vjen një ministër tjetër i mbrojtjes dhe një kryeministër tjetër, ai do të investojë më shumë se që kanë investuar këta deri sot”, tha ai.

Ai ka shprehur bindjen se qeveritë e ardhshme do të investojnë më shumë në FSK sesa është bërë deri më tani.

“Prandaj po them kjo është më tepër lojë fjalësh. Nëse e shohim diagramin e investimeve në FSK, ai diagram gjithmonë ka shkuar njëtrajtshëm në rritje, jo se ka pasur ndryshime të mëdha drastike ku një qeveri nuk ka qenë në gjendje në kushte të njëjta të investojë, kurse tjetra ka investuar. Por konform rrethanave dhe zhvillimit të FSK-së, lejeve që i ka pasur për të ecur përpara dhe kontrollit që e ka pasur nga NATO, aq janë bërë edhe investime. Tani ato kontrollet strikte që i ka pasur dikur FSK-ja më nuk janë, i është lënë hapësirë qeverisë shumë që të bëjë në këtë drejtim dhe sigurisht që unë shpresoj që edhe qeveria e ardhshme, cila do qoftë ajo, do të investojë më shumë se që është bërë për këto 4-5 vite”, tha ai.

Profesori universitar Avni Islami ka shtuar se investimet në FSK, Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë tregojnë seriozitetin e institucioneve dhe rëndësinë që i jepet sigurisë kombëtare.

Islami ka theksuar gjithashtu se tre shtyllat kryesore të sigurisë janë FSK-ja, Policia dhe AKI, dhe secila qeveri ka kushtuar rëndësi të veçantë zhvillimit të tyre.

“Investimet që janë bërë në fushën e sigurisë, jo vetëm në FSK por edhe në polici dhe AKI, tregojnë për seriozitetin e institucioneve të Kosovës se sa është e rëndësishme siguria e vendit tonë. Në pamje të rastit të eksplozivit në Ibër Lezenc, puna profesionale e institucioneve të sigurisë të Kosovës u tregua se jo vetëm kjo qeveri, por secila qeveri i ka kushtuar rëndësi të veçantë FSK-së, policisë dhe AKI. Pra, janë tri shtyllat kryesore”, tha ai.

Islami ka vlerësuar se buxheti është shumëfishuar për logjistikën, trajnimin dhe aftësimin e personelit, duke u shprehur i kënaqur me investimet e deritanishme dhe me proklamimin për investime mbi 1 miliard euro për vitin e ardhshëm.

 Ai theksoi se qëllimi është që FSK-ja të arrijë aftësi të plota për vetëmbrojtje të shtetit dhe të prodhojë paqe dhe siguri në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

“Mirëpo duhet të ketë parasysh lëvizjet gjeopolitike në botë, lufta në Ukrainë, në Lindjen e Mesme, është bërë përshpejtimi i rritjes së buxhetit nga ana e qeverisë në detyrë që është. Është shumëfishuar buxheti për rritjen e kapaciteteve, qoftë në logjistikë, qoftë tek personeli, ku është bërë aftësimi i tyre”.

“Unë jam i kënaqur me investimet që janë bërë në FSK dhe e përkrah proklamimin gjatë kësaj fushate se vitin e ardhshëm për FSK-në e Kosovës do të investohen mbi 1 miliard, është një lajm i mirë dhe unë besoj që do të realizohet kjo. Por besoj që do të realizohet edhe kushdo që vjen në këtë mandat në qeveri, sepse është parësore që FSK-ja të kompletohet në fazën e fundit të saj, të jetë e aftë për vetëmbrojtje të shtetit të Republikës së Kosovës dhe pse jo të prodhojë paqe dhe siguri, jo vetëm për Kosovën, por të jetë krah për krah me vendet e Aleancës Veri-Atlantike”, tha ai.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se gjatë këtij mandati qeverisës janë bërë investime të mëdha në sektorin e mbrojtjes.

“Gjatë këtij mandati qeverisës, ne e kemi katërfishuar buxhetin e mbrojtjes dhe e kemi dyfishuar numrin e ushtarëve. Ushtrinë e kemi pajisur me sisteme të reja dhe më moderne të armatimit dhe të municioneve nga shtete anëtare të NATO-s; mbi 430 milionë euro blerje të armatimit janë shënuar në këtë mandatin e parë. Në mandatin tonë të radhës do të investojmë mbi 1 miliard euro në mbrojtje”, ka thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë të mbajtur me 27 nëntorit.

Po ashtu, gjatë kësaj jave, Kosova ka nënshkruar kontratë me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake AM General për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë mobile “HUMVEE Haëkeye 105mm Mobile Hoëitzer (MHS)”.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka thënë se kontrata përfshin edhe automjete moderne të mbështetjes, pjesë rezervë, mirëmbajtjen si dhe trajnimin për operim dhe mirëmbajtje të këtyre sistemeve.

Të ngjashme