Në një tubim të mbajtur në Kaçanik në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se këto zgjedhje janë vendimtare për rikthimin e Kosovës në normalitet kushtetues dhe institucional, raporton Ekonomia Online.
Duke folur nga qyteti ku u miratua Kushtetuta e Kaçanikut, Abdixhiku theksoi se Kaçaniku ka një peshë të veçantë historike.
“Të flasësh në Kaçanik nuk është fjalim i zakonshëm politik. Është përballje me historinë dhe përgjegjësi ndaj shtetit”, deklaroi ai.

Abdixhiku kritikoi gjendjen aktuale politike dhe institucionale në vend, duke thënë se Kosova ndodhet në krizë besimi.
“Institucionet janë bllokuar, Kushtetuta është shkelur dhe vendimmarrja është përqendruar te individi, jo te ligji”, u shpreh ai, duke shtuar se vendi ka përfunduar në izolim politik dhe nën masa ndëshkuese.
Në tubimin me qytetarët e Kaçanikut, ai tha se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë vetëm garë politike, por “vendim për të ardhmen e shtetit”.
“Ne nuk jemi këtu për pushtet, por për shtet. Jo për një mandat, por për një drejtim të ri”, theksoi Abdixhiku.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje dhe të mbështesin ndryshimin.
“Shpresa nuk është ndjenjë e butë, shpresa është vendim. Dhe Kaçaniku di të vendosë drejt”, përfundoi ai.
