Me rastin e përmbylljes së vitit, Aleanca Kosovare e Biznesit ka organizuar “Darkën e Bereqetit të Kosovës 2025”, ku morën pjesë bashkëpunëtorë nga të gjitha trojet shqiptare, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, në fjalën e tij tha se kjo darkë është një ceremoni e punës dhe sakrificës gjatë vitit 2025.
“Mirë se keni ardhur në Darkën e Bereqetit të Kosovës 2025. Kjo darkë organizohet si shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për secilin biznes, bujk dhe qytetar të Republikës së Kosovës, për punën e ndershme, përkushtimin dhe prodhimet e tyre, si dhe për çdo konsumator që zgjedh të jetojë, të prodhojë dhe të konsumojë në Kosovë.
Bereqeti i Kosovës nuk është vetëm prodhim – ai është rezultat i punës, sakrificës, dijes dhe dashurisë për vendin tonë.
Viti 2025 për Aleancën Kosovare të Bizneseve ka qenë një vit i suksesshëm dhe domethënës. Disa nga arritjet kryesore që dua t’i veçoj janë: promovimi i pandërprerë i produkteve vendore gjatë gjithë vitit; publikimi i statistikave, hulumtimeve dhe studimeve të ndryshme për çështje ekonomike dhe sociale në Kosovë; rritja e numrit të anëtarësisë nga 13 mijë e 200 në 15 mijë e 70 anëtarë.
Vlen të theksohet edhe marrëveshja e fundit me Dhomën e Tregtisë në Tiranë, me Odën Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, si dhe me Unionin e Afaristëve për Medvegjë dhe Bujanoc,” tha ai.
Ndërsa menaxherja e AKB-së, Lumnije Ajdini, falënderoi bashkëpunëtorët.
“Sonte festojmë Darkën e Bereqetit dhe 23 vite punë, sakrifice, sfida dhe suksese. Të gjitha këto janë falë jush, sepse vetëm ne nuk do të kishim mundur t’i arrinim për shumë vite,” tha ajo.
Pas fjalëve të rastit, AKB ndau mirënjohje për bashkëpunëtorët e saj.
