13-vjeçari britanik goditet për vdekje nga ish-partneri i nënës

Prishtinë | 24 Dhj 2025 | 19:50 | Nga Ekonomia Online

Një djalë 13-vjeçar britanik ka humbur jetën pasi u godit me thikë në shtëpinë e tij në Portugali, dyshohet nga ish-partneri i nënës së tij.

Djali është identifikuar si Alfie Hallett, ndërsa ekipit të basketbollit ku ai luante i kanë ardhur shumë mesazhe ngushëllimi në rrjetet sociale.

Sipas Guardian, autoritetet kanë bërë të ditur se i dyshuari, i cili gjithashtu ka vdekur, ishte ish-partneri i nënës së djalit. Sipas raportimeve, pasi vrau djalin, burri përdori thikën për të plagosur veten dhe më pas shkaktoi një shpërthim duke hapur një rrjedhje gazi.

Ngjarja ndodhi në fshatin Casais, në bashkinë e Tomar, rreth 145 kilometra në verilindje të kryeqytetit Lisbonë. Policia tha se oficerë të Gardës Republikane Kombëtare (GNR) ndërhynë pasi morën një njoftim për një situatë që dukej si dhunë në familje, raporton KosovaPress.

Brenda shtëpisë kishte një erë të fortë gazi, e cila pak çaste më vonë rezultoi në një shpërthim që plagosi një oficer të GNR-së.

Policia shtoi se i dyshuari kishte vuajtur më parë një dënim me burg për vrasje të rëndë dhe se familja ishte shënuar nga autoritetet pas rasteve të dhunës në familje të regjistruara në vitet 2022 dhe 2023.

Në një postim në Facebook, ekipi i basketbollit ku luante Alfie, Sport Club Operario Cem Soldos nga Tomar, i bëri homazhe adoleshentit, duke shkruar se klubi “është varfëruar sot”.

Fqinjët i thanë televizionit SIC Notícias se shpesh dëgjoheshin grindje nga shtëpia e familjes dhe se nëna kishte bërë një kallëzim ndaj ish-partnerit të saj në vitin 2023.

Luís Freire, kryetar i këshillit të famullisë Casais dhe Alviobeira, deklaroi: “Kishte pasur tashmë disa episode dhune dhe këtë herë gjërat shkuan shumë keq”.

Të ngjashme