Franca heton si akt terrorist të shtënat ndaj një vajze

Prishtinë | 23 Tet 2026 | 19:11 | Nga Ekonomia Online

Të premten, një person i armatosur – për të cilin zyrtarët dyshojnë se mund të jetë shtyrë nga urrejtja islamofobike – hapi zjarr nga një makinë në perëndim të Parisit, duke vrarë një person dhe duke plagosur katër të tjerë, mes të cilëve edhe një vajzë 12-vjeçare.

“Hetimet janë në vazhdim, por bëhet fjalë qartazi për një krim terrorist. Është një akt jashtëzakonisht i rëndë”, u tha gazetarëve Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, nga distrikti Yvelines në perëndim të Parisit, ku ndodhi sulmi.

Zyrtarët bënë të ditur se i dyshuari 39-vjeçar – identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur – kaloi me makinë nëpër qytetin e Trappes, ku qëlloi me armë automatike në drejtim të një stacioni karburanti, një qendre mjekësore dhe një këndi lojërash për fëmijë.

Sipas Reuters, Televizioni BFM raportoi se vajza e plagosur është qëlluar tetë herë dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

“Objektivisht, ky ishte një sulm racist, ndoshta islamofobik”, tha Ali Rabeh, kryetari i bashkisë së Trappes, prindërit e të cilit janë me origjinë nga Maroku.

Të ngjashme