Hulumtuesi Ridvan Emini nga Instituti “Octopus” ka reaguar ndaj hapjes së konkursit nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë për 350 vende pune në institucionet paralele në Kosovë.
Sipas tij, ky veprim përbën ndërhyrje të qëllimshme dhe të planifikuar, duke tentuar ta prezantojë si ndihmë sociale dhe humanitare, por në të vërtetë fshihet prapa tij presion, shantazh dhe kushtëzim ndaj serbëve në vend.
“Ky është edhe një presion i Milan Radoiçiqit në strategjinë e Beogradit për t’ia siguruar 10 mandatet e rezervuara Listës Serbe, si instrumenti i saj për sabotimin e Kosovës nga brenda. Prandaj, “konkursi” nuk është çështje punësimi dhe nuk duhet të tolerohet nga faktorët ndërkombëtarë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe institucionet e tjera relevante duhet të reagojnë zëshëm, sepse serbët në Kosovë s’mund të përdoren edhe më tutje si instrument politik i Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka shtuar se Kosova ofron të drejta maksimale për komunitetet pakicë, por asnjë shtet nuk ka të drejtë të krijojë, financojë apo drejtojë struktura paralele brenda territorit të saj.
“Kosova nuk është terren eksperimental për ndërhyrjet hibride”, ka theksuar ai.