DnV: Vonesa në 3% të vendvotimeve dhe probleme me qasjen për personat me aftësi të kufizuara

Prishtinë | 28 Dhj 2025 | 09:01 | Nga Ekonomia Online

Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se procesi zgjedhor në Kosovë ka nisur kryesisht i qetë, por është shoqëruar me një sërë mangësish, përfshirë vonesa në hapjen e vendvotimeve, probleme me qasjen për personat me aftësi të kufizuara dhe mosrespektim të plotë të rregullave zgjedhore në disa zona, raporton Ekonomia Online.

Sipas DnV-së, janë hapur me vonesë rreth 3 për qind e vendvotimeve, kryesisht në rajonin e Pejës, ndërsa 16 për qind e Qendrave të Votimit nuk kanë infrastrukturë adekuate për qasje të personave me aftësi të kufizuara, çka sipas këtij koalicioni përbën shqetësim serioz për garantimin e të drejtës universale të votës.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se Demokracia në Veprim po ndjek nga afër të gjitha fazat e procesit zgjedhor, nga hapja e vendvotimeve deri në përfundimin e numërimit të votave për subjektet politike.

“Demokracia në Veprim (DnV) po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 500 vëzhgues statikë, të cilët janë prezentë në 500 vendvotime, të përcaktuara në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme. Vëzhguesit tanë gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesi i votimit e deri te përfundimi i numërimit të votave për subjektet politike. Vëmendje do t’i kushtohet respektimit të procedurave të votimit dhe numërimit, garantimit të fshehtësisë së votës dhe qasjes së barabartë në votim për të gjithë qytetarët me të drejtë vote”, tha ai.

Cakolli ka shtuar se pas votimit të zhvilluar një ditë më parë në misionet diplomatike të Kosovës në 18 shtete, DnV pret që e njëjta atmosferë demokratike të përcillet edhe në Kosovë.

“Pas procesit të votimit që u zhvillua dje në misionet diplomatike të Kosovës në 18 shtete (16 Ambasada dhe 13 Konsullata), ku votuesit që jetojnë jashtë kishin mundësinë që të votonin edhe fizikisht, DnV beson që një atmosferë e njëjtë demokratike do të përcillet edhe në zgjedhjet që po mbahen sot në Kosovë”.

Cakolli ka bërë të ditur se vetëm 3 për qind e vendvotimeve janë hapur me vonesë, kryesisht në rajonin e Pejës, për shkak të mungesës së komisionerëve.

“Në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2,614 vendvotime (2,557 të rregullta dhe 57 me kusht). Sipas të dhënave nga terreni, me vonesë janë hapur vetëm 3% e vendvotimeve. Vonesa më të theksuara ka pasur në rajonin e Pejës. Është raportuar se shkaku kryesor i vonesave në hapjen e vendvotimeve me kohë lidhet me mungesën e komisionerëve”, tha ai.

Ai ka theksuar se aranzhimi i vendvotimeve është bërë kryesisht në përputhje me rregullat e KQZ-së, por ka pasur edhe mangësi.

“Aranzhimi i vendvotimeve është bërë konform rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja. Vetëm në 2% të vendvotimeve nuk ka pasur vendosje adekuate të kabinave të votimit apo kamerave. Vendosja jo e duhur e kamerave ka qenë më e shprehur në komunat me shumicë serbe”, tha ai.

DnV ka ngritur shqetësime edhe për qasjen e personave me aftësi të kufizuara në procesin e votimit.

“E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje si e drejtë universale duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim. Personat me aftësi të kufizuara duhet të kenë mundësi të barabarta të marrin pjesë në jetën publike e politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike. Është raportuar se 16% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate ose pjerrina që mundësojnë qasje më të lehtë në objektet ku po zhvillohet votimi”, tha ai.

Sa i përket respektimit të rregullave zgjedhore, Cakolli ka bërë të ditur se në afërsi të 3 për qind të Qendrave të Votimit janë vërejtur materiale propaganduese, ndonëse kjo ndalohet me ligj. Ai po ashtu ka theksuar se Policia e Kosovës është e pranishme në 85 për qind të Qendrave të Votimit, duke u kujdesur për sigurinë e procesit.

DnV ka raportuar edhe për mungesë të informatave për votuesit në disa qendra.

“Edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100 metrash të Qendrës së Votimit, vëzhguesit tanë kanë raportuar prani të këtyre materialeve në afërsi të 3% të Qendrave të Votimit”.

“Policia është duke u kujdesur për sigurinë e procesit të votimit, konform përcaktimeve ligjore, në 85% të Qendrave të Votimit. Në këto zgjedhje, votuesit kanë të drejtë të votojnë deri në 10 kandidatë, gjë që u bë e mundur pas ndryshimeve ligjore për votën preferenciale në vitin 2023. Institucionet për administrimin e zgjedhjeve janë të obliguara që t’i informojnë votuesit për këto rregulla përmes vendosjes së posterëve informues në hyrje të secilës Qendër të Votimit. Megjithatë, vëzhguesit tanë kanë raportuar se këto instruksione nuk janë hasur në 8% të Qendrave të Votimit. Po ashtu, në 18% të QV-ve nuk ka tavolina ndihmëse, që si problematikë është më e shprehur në rajonin e Ferizajt, Gjilanit dhe Pejës”, tha ai.

Sa i përket përfaqësimit gjinor, ai ka vlerësuar se prania e grave komisionere mbetet e ulët.

“Prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për pjesëmarrje të barabartë. Është raportuar se në të paktën 75% të vendvotimeve ka prani të komisionereve gra, por që numri kufizohet në dy anëtare gra”, tha ai.

“Nuk është raportuar për ndonjë incident serioz. Gjithsesi, në dy vendvotime është raportuar për mungesë të energjisë elektrike, që ka vonuar procesin e fillimit të votimit”, tha ai.

Të ngjashme