KEK në gatishmëri maksimale: Të gjitha kapacitetet në shërbim të sigurisë energjetike

Prishtinë | 28 Dhj 2025 | 12:52 | Nga Ekonomia Online

Derisa  në gjashtë qendra votimi është duke pasë probleme me energji elektrike, është KEK ajo që thotë se është në gatishmëri maksimale dhe se të gjitha kapacitete janë në shërbim të sigurisë kibernetike.

Në një komunikatë për media, KEK thotë se me rënien e temperaturave që nga 19.12.2025, ka rritur në maksimum angazhimin operacional, duke operuar aktualisht me pesë (5) njësi gjeneruese.

“Si rezultat, prodhimi ditor po arrin në 20,640 MWh, duke forcuar stabilitetin e furnizimit me energji elektrike dhe qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës në një periudhë me kërkesë të rritur. Në kushte normale, KEK operon me katër njësi gjeneruese, ndërsa një njësi mbahet si rezervë e nxehtë për nevoja teknike dhe mirëmbajtje periodike. Megjithatë, pavarësisht moshës së avancuar të stabilimenteve, falë angazhimit të jashtëzakonshëm të stafit teknik dhe përkushtimit të menaxhmentit, është bërë e mundur operimi me pesë njësi gjeneruese, me përjashtim të dy ndërhyrjeve të shkurtra teknike në një njësi. KEK Sh.A. mbetet e përkushtuar të mbajë në operim sa më shumë kapacitete prodhuese të jetë e mundur, brenda kufijve të sigurisë teknike dhe stabilitetit operacional, për të garantuar prodhim të qëndrueshëm me energji elektrike”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se “Në këtë kontekst, siguria energjetike kërkon angazhim të përbashkët, ndaj ftojmë qytetarët që energjia elektrike të përdoret dhe të kursehet në mënyrë sa më racionale, veçanërisht në këtë periudhë me konsum të rritur”.

Të ngjashme