SHBA-ja akuzon Rusinë për përshkallëzim të rrezikshëm të luftës në Ukrainë

Prishtinë | 13 Jan 2026 | 09:48 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë akuzuar Rusinë të hënën për “përshkallëzim të rrezikshëm dhe të pashpjegueshëm” të luftës së saj gati katërvjeçare në Ukrainë, në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump po përpiqet të shtyjë përpara negociatat drejt paqes.

Zëvendësambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Tammy Bruce, veçoi lëshimin nga Rusia javën e kaluar të raketës balistike “Oreshnik”, e aftë për mbajtje bërthamore, pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë, një aleate e NATO-s.

Ajo tha  në një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit se SHBA-ja e dënon “numrin tronditës të viktimave” në konflikt dhe i ka dënuar sulmet gjithnjë e më intensive të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike dhe asaj civile.

Ukraina kishte kërkuar mbledhje pas bombardimit rus gjatë natës së enjtes së kaluar, kur  përdoren qindra dronë dhe dhjetëra raketa, përfshirë raketën e re dhe të fuqishme hipërsonike “Oreshnik” e cila u përdor nga Moska për herë të dytë, si një paralajmërim i qartë për aleatët e Kievit nga NATO.

Sulmi i përmasave të mëdha ndodhi disa ditë pasi Ukraina dhe aleatët e saj raportuan përparim të madh drejt një marrëveshjeje si të mbrohet vendi nga represioni i mëtejmë rus, në rast se arrihet një marrëveshjeje paqeje e udhëhequr nga SHBA-ja.

Sulmi përkoi gjithashtu me një ftohje të re të marrëdhënieve mes Moskës dhe Washingtonit, pasi Rusia dënoi sekuestrimin nga SHBA-ja të një cisterne nafte në Atlantikun e Veriut. Ai ndodhi në të njëjtën kohë kur presidenti amerikan, Donald Trump sinjalizoi mbështetjen e tij për një paketë të ashpër sanksionesh që synon të gjymtojë ekonomikisht Rusinë.

Moska nuk dha asnjë sinjal publik se është e gatshme të tërhiqet nga kërkesat e saj maksimaliste ndaj Ukrainës. Ndërkohë, ambasadori rus në OKB fajësoi të hënën Ukrainën për bllokimin diplomatik.

Udhëheqësit evropianë e dënuan përdorimin e raketës “Oreshnik”.

Të ngjashme