Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri ka nisur sot një aksion humanitar të dhurimit vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.
Sipas komunikatës së Policisë, aksioni ka filluar nga ora 11:00 dhe po zhvillohet në objektin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veri, ku zyrtarë policorë po marrin pjesë vullnetarisht në dhurimin e gjakut.
“Si pjesë e aktiviteteve me karakter humanitar dhe në frymën e shërbimit ndaj qytetarëve, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri ka filluar sot një aksion të dhurimit vullnetar të gjakut”, thuhet në komunikatë.
Policia thekson se përmes këtij aktiviteti, zyrtarët policorë po shprehin solidaritet, humanizëm dhe përgjegjësi shoqërore ndaj qytetarëve që kanë nevojë për trajtim mjekësor.
“Përmes këtij veprimi, Policia e Kosovës dëshmon se misioni i saj nuk kufizohet vetëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, por përfshin edhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të jetës dhe mirëqenies së qytetarëve”, theksohet më tej.
Në njoftim bëhet e ditur se Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri mbetet e përkushtuar që edhe në të ardhmen të kontribuojë në iniciativa humanitare dhe aktivitete në dobi të shoqërisë, duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.
