Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit I.Z., i cili po hetohet për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.
Sipas komunikatës së gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake Sh.C. ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit. Pas shqyrtimit të provave dhe rrethanave të çështjes, gjykata ka vendosur që kërkesa e prokurorisë të aprovohet.
“Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit I.Z.”, thuhet në komunikatë.
Me vendimin e gjykatës, të dyshuarit i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar nga data e arrestimit më 13.01.2026, në ora 00:17, dhe masa do të zgjasë deri më 12.02.2026, në ora 16:00.
I.Z. dyshohet për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë në tentativë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për veprën penale mbajtje e paautorizuar e armëve nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së.