Sejdiu e Merovci kujtojnë Rugovën si themelues të shtetit të Kosovës: Njeri i paqes

Prishtinë | 21 Jan 2026 | 13:25 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka vlerësuar se presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ishte arkitekt i idesë politike shtetërore, intelektuale dhe humane, mbi të cilën u ndërtua shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës.

Këto deklarata Sejdiu i bëri në Akademinë Përkujtimore, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Sejdiu tha se filozofia politike e Rugovës ishte e qartë dhe e pandryshueshme që nga momenti kur ai u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Sot bëhen 20 vjet nga vdekja e presidentit Ibrahim Rugova, ideja politike shtetërore, intelektuale dhe humane, arkitekti dhe ndërtuesi i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Rugova, që kur u zgjodh kryetar i LDK-së, kishte moto: liri, pavarësi, demokraci; Kosova është shtet i pavarur dhe sovran; Kosova në BE dhe në NATO; paraprakisht një administrim civil dhe ndërkombëtar; qytetarë të bashkuar në Evropën e bashkuar”, tha ai.

Ai theksoi se platforma politike e Rugovës ishte unike jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, duke qenë e ndërtuar mbi kuptimin e thellë të zhvillimeve globale në fund të shekullit XX.

“Platforma politike e Dr. Ibrahim Rugovës ishte unike në Kosovë dhe më gjerë, pasi bazohej në kuptim e dinamikë të ndryshimeve në arkitekturën ndërkombëtare në periudhën e rënies së Murit të Berlinit dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë, procesi i shkatërrimit të Jugosllavisë dhe luftërave të Serbisë”, tha ai.

Sipas tij, vizioni i Rugovës për liri dhe pavarësi ishte i ndërlidhur ngushtë me ndërtimin e aleancave ndërkombëtare dhe orientimin strategjik të Kosovës drejt Perëndimit.

“Platforma për liri dhe pavarësi u përqendrua me vizion e të kuptuar të drejtë të dinamikave globale dhe për t’i integruar ato në hapat, situatat dhe proceset në Kosovë. Në shtyllat kryesore të tij për shtetformim ishte krijimi i bashkëpunimit ndërkombëtar me personalitete, institucione dhe qeveri. Ai vuri në krye të politikës ndërkombëtare të Kosovës miqësinë me SHBA-në dhe Evropën. I hapi Kosovës porta për t’u ngritur zëri i saj për liri, pavarësi dhe demokraci. Rugova ishte një intelektual, kritik, tolerant dhe paqësor. Idetë nacionale për liri arriti t’i mbillte jo vetëm në popullin e Kosovës, por t’i shtrinte edhe në opinionet dhe institucionet ndërkombëtare”, tha ai.

Në Akademinë Përkujtimore foli edhe miku i presidentit Rugova, Adnan Merovci, i cili solli detaje personale nga jeta dhe karakteri i tij.

“Ai ishte i vetëdijshëm që me misionin e tij prej prijësi politik të Kosovës, duke luftuar për lirinë e të tjerëve, ia pat cenuar lirinë vetë vetes. Nuk mbahet mend që dijetari Rugova të ketë komentuar asnjë shkronjë kritikat e ardhura nga të tjerët. Fliste për darka, turrshit, darkën e lamës, karicën ilire, mullirin e unit, qenin e Sharrit. Në takimet me të huajt fliste për plantacionet e rrushit në Rahovec, mineralet e shumta të Kosovës dhe kapacitetet e thëngjillit dhe shpesh thoshte se Kosova mund të prodhojë energji elektrike për gjysmën e Evropës. Brenda 24 orëve ka pirë 20 kafe turke pa kajmak, që vetëm zonja Fan i përgatiste”, tha ai.

Të ngjashme