Caktohen seancat për të arrestuarit e djeshëm për manipulim të votave

Prishtinë | 24 Jan 2026 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

E ndarë në katër pjesë, sot pritet që të mbahet edhe seanca ndaj 109 të arrestuarve për dosjen e manipulimit të votave në Prizren.

Kallxo.com mëson se seanca do nis nga ora 14:00 ndërsa do të jetë e ndarë në katër pjesë për shkak të numrit të lartë të të arrestuarve të cilët pritet të paraqiten në Gjykatën e Prizrenit bashkë me avokatët e tyre.

Prokuroria Themelore e Prizrenit në bazë të procedurave do të kërkoj edhe masën e sigurisë ndaj të arrestuarve të cilët po dyshohet se manipuluan e keqpërdorën votimet në Prizren.

Kryeministri ne detyrë Albin Kurti ka reaguar një ditë pas aksionit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit në të cilin u arrestuan 109 komisionerë të partive të ndryshme politike në lidhje me manipulim të votave.

Kurti tha se ata që patën gisht në manipulime me vota nuk kanë amnisti.

‘’Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund’’- ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje ai tha se partia që drejton ai, LVV ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë.

‘’Republika e Kosovës është shembull i demokracisë në rajon dhe i proceseve zgjedhore. Adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për rastet e dyshimeve të manipulimeve brenda subjekteve politike, është i domosdoshem për integritetin e procesit’’- shkruan tutje Kurti.

Kryeministri në detyrë shton se vota e vullneti i qytetarëve duke të garantohet deri në fund.

‘’Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen’’- ka shkruar kryeministri në detyrë Kurti.

109 vendime për ndalim 48 orësh janë lëshuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit në lidhje me manipulimet me vota në rajonin e Prizrenit.

Katër prokurorë, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjatë ditës së sotme, më 23.01.2026, kanë marrë pjesë në një aksion të gjerë që u zhvillua në Prizren.

Atje, ekipet policore e hetuesit intervistuan mbi 100 komisionerë të partive të ndryshme politike në lidhje me manipulimin e votave.

Vetë Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, konfirmoi se kanë lëshuar 109 vendime për ndalim për të vazhduar më tutje me procedurat e tjera.

Luan Ibrahimi, zv.drejtor i Departamentit për Krime Ekonomike në nivel të Kosovës, tha gjatë konferencës se rasti i arrestimeve në Prizren mund të konsiderohet si një nga rastet me të mëdha sa i përket të arrestuarve.

“Ky ka qenë një nga operacionet më të mëdha që ka organizu Policia e Kosovës. Ne jemi përgatitur jemi mobilizuar dhe kemi arritur qëllimin që të arrestojmë personat që kanë keqpërdr me vota, të cilët kanë ndikuar, kanë kërcënuar, kanë marrë apo kanë dhënë ryshfet lidhur me votimin e fundit që ka ndodhë në Kosovë”- tha Ibrahimi.

“Ne kemi arritur që të arrestojmë, intervistojmë e të ndalojmë një numër jashtëzakonisht të madh që mund të konsiderohet një nga operacionet më të mëdha që Policia e Kosovës e ka realizuar ndonjëherë, pra janë 109 persona të arrestuar”- shtoi Ibrahimi.

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, në një konferencë bashkë me drejtorin e Policisë në Prizren, Faton Alija, tha se hetimi për manipulimin e votave në Prizren ka qenë i koordinuar me Prokurorinë e Shtetit.

“Ditë më parë kemi paralajmëruar se manipulimi i votës dhe rezultateve zgjedhore është krim dhe do të ndëshkohet pa kompromis. Sot secili prej atyre që ka guxuar të fus duart në votat dhe vullnetin e qytetarëve është ballafaquar me forcën e ligjit. Dua ta bëj të qartë, këtu nuk bëhet fjalë për numërinim e votave të subjekteve politike, por bëhet fjalë për manipulim brenda llojit, aty ku katër subjektet më të mëdha politike i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe ata kanë menduar që larg syrit të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë mund të manipulojnë e mund t’ia dilnin pa të keqe”- tha Kryeziu më 23.01.2026.

Ai shtoi se nga të dhënat që kanë marrë është e vetmja një klasë që nuk ka pasur keqpërdorim të votave.

“Mund të kuptoheshin gabimet e vogla të dhjetëra votave edhe pse KQZ nuk ka ndonjë mashë tolerance, këtu nuk bëhet fjalë për dhjetëra as për qindra por bëhet fjalë për shumë mijëra vota të mainupuluara e të falsifikuara. Ka kandidat që kanë deri mbi 6,000 vota janë të falsifikuara për një kandidat. Pra bëhet fjalë edhe për një vendvotim për me pasë të qartë, vetëm në një vendvotim numri i manipuluar ka shkuar deri në 2,444 vota, pra vetëm në një klasë sa kanë votu qytetarët, përderisa mund ta them që në regjionin tonë, ato që janë numëruar nga subjektet politike, vetëm një klasë ka dalë e pakeqpërdorur”- tha tutje Kryeziu.

ryeziu, në konferencë për media ka thënë se kandidatët për deputetë do të dëgjohen në prokurori, si të dyshuar apo edhe të dëmtuar.

“Edhe kandidatët për deputetë do të dëgjohen në prokurori. Në rast se nuk do të arrijmë të sigurojmë prova në cilësi të të dyshuarve, padyshim që ne i kemi dëgjuar deklaratat e tyre mediale, shumë prej tyre ndihen edhe të dëmtuar për shkak të imazhit. Prokuroria do t’ia ofrojë këtë mundësi, që të paktën t’i marrim në cilësinë e të dëmtuarve, t’ia japim mundësinë që t’i bashkëngjiten ndjekjes penale, të parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike dhe t’ua thonë në sy atyre që janë të dëmtuar”- tha Kryeziu në konferencë për media më 23.01.2026.

Njëri nga 109 komisionerët e dyshuar, i cili është arrestuar për manipulim me vota në Prizren, ka pranuar që të bashkëpunojë me Prokurorinë e të tregojë se në rastin që u hetua nga prokuroria pati edhe marrje e dhënie të ryshfetit.

Këtë e konfirmoi në konferencë për media Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kur foli bashkë me përfaqësues të policisë për detajet e aksionit që përfundoi me 109 të ndaluar për 48 orë, lidhur me rastin e keqpëdorimit e manipulimit të votave të procesin zgjedhor të mbajtur më 28.12.2025.

“Me vetiniciativë kemi ndërmarrë veprime sepse shihej haptazi që keqpërdorimet ishin duke ndodhur ndërsa pjesa që ka të bëj me dhënie e marrje të ryshfetit është zbuluar sot kur njëri nga komisionerët ka vendosur që të bashkëpunojë me prokurorinë dhe ata që janë edhe të akuzuar mund të marrin cilësinë e dëshmitarëve bashkëpunues”- tha kryeprokurori Kryeziu.

Njëri nga 109 komisionerët e dyshuar është djali i Rasim Demirit, kandidatit për deputet nga Partia Demokratike Boshnjake.

Të ngjashme